Një eksponent i Al-Kaedës ka shpërndarë ndihma humanitare në një prej zonave më të varfëra të Somalisë, në atë që interpretohet si një strategji i terrorizmit për të siguruar rekrutë të rinj, siguroi BBC gjatë pasdites.
I identifikuar si shtetasi amerikan Abu Abdulla Almuhajir dhe duke folur një anglishte me një theks të qartë amerikan, eksponenti shpërndau ushqim, perçe dhe kuranë, për njerëzit e grumbulluar në një kamp për të varfërit e pastrehët pranë kryeqytetit të vendit, Mogadishu.
Kjo lëvizje vërteton edhe një herë më shumë lidhjet e Al-Kaedës me organizatën vendase terroriste, Al-Shabab, e cila ka në dorë pjesë të mira të territorit të vendit, ku drejton në bazë të ligjit fetar, sheriat.
Deri më sot, nuk janë regjistruar raste të tjera të shpërndarjes së ndihmave humanitare prej organizatës terroriste. Almuhajir shoqërohej nga zëdhënësi i Al-Shabab, Sheikh Ali Mohamud Rage, i cili informoi se po shpërndanin ushqime si miell, oriz, vaj gatimi, konserva dhe qumësht për 4 mijë persona në kampin e “Ala-Jasirit”, 50 kilometra nga Mogadishu.
Organizata e Kombeve të Bashkuara prej disa muajsh ka dhënë alarmin për krizën humanitare në Somali, duke paralajmëruar se gjendje atje sa vjen e po shndërrohet në katastrofale për mbi 750 mijë persona të shpërngulur e të mbetur pa gjërat bazë për jetesë.
Al Shabab, grup radikal islamik, synon vendosjen e një rendi ekstremist islamik në Somali. Prej vitesh mbështetës të këtij grupi, që dyshohet se ka lidhje të forta me Al Kaedan, luftojnë kundër forcave qeveritare. Lufta ka shkaktuar mijëra viktima dhe dhjetra kriza humanitare ndër vite.
Top Channel