Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, në një interpelancë me Ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, ka denoncuar se qeveria po paguan para të tjera për rrugën Durrës-Kukës edhe pse ajo është marrë në dorëzim 2 vjet më parë, duke bërë që kosto të kalojë 1.4 miliardë dollarë.
”Keni paguar 200 milionë dollarë në dy vjet pasi rruga ka përfunduar. Në total kostoja ka arritur në 1.433 miliardë dollarë. Të gjithë ata shqiptarë nga Durrësi në Jug, nga Fushë Kruja apo Peshkopia në veri, që pyesin përse punimet e hapura për rrugët në qytetet e tyre kanë vite që qëndrojnë pezull, duhet të dinë se nuk ka më para, pasi ato të gjitha shkojnë tek fatura e Kalimash-Rrëshenit”, deklaroi Braçe.
”Ju ngrini përsëri në mënyrë spekulative atë çështjen e 200 miliob eurove. Rritja e përfitimeve direkt neto, nga rritja e trafikut përtej shifrave të parashikuara nga fizibiliteti, është prej 1,6 miliardë euro. Kursimi për konsum karburanti, gomash e amortizim mjeti, vlerësuar nga studio prestigjioze, shkon në totalin e vet në 2,5 miliardë euro. Dhe këtu, pa llogaritur impaktin social dhe rritjen prej 29% në turizëm gjatë këtij viti”, kundërpërgjigja e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi.
Erjon Braçe tha se Partia Socialiste do t’i kërkojë Prokurorisë të rihapë hetimet për shpërdorime me fondet në këtë rrugë, mbi bazën e fakteve të reja.
”Prokuroria nuk iu përgjigj detyrimeve të saja ligjore kur tuneli i Thirrës u shemb. Këtë nuk e bëri as më pas, kur dëmi ekonomik ndaj shtetit u bë edhe më i qartë, me dhjetëra fatura të paguara. Provat për të hapur një hetim të ri janë të gjitha dhe nëse këtë nuk do ta bëjë Prokuroria, shumë shpejt do ta bëjmë ne. Jo për Partinë Socialiste, por sepse kjo është një histori korrupsioni faqezinjsh dhe jo një çështje xhelozie patriotike, siç u pretendua pak më parë”, tha Braçe.
”E keni me këtë rrugë, pasi nuk e bëtë dot në kohën tuaj. E nisët, i morrët taksën shqiptarëve dhe nuk bëtë dot asnjë metër të saj. Shkoni dhe drejtojuni të gjitha institicioneve të drejtësisë, cilave të doni ju, sot por edhe mot”, përfundoi Olldashi.
Dy vjet më pare, Prokuroria nisi hetimet kryesisht mbi faktet e bëra publike për shpërdorimin e fondeve në rrugën Durrës-Kukës, duke kërkuar dhe heqjen e imuniteti të deputetit dhe ish-Ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Por çështja u mbyll në gjykatën e lartë për shkak të shkeljes së afateve proceduriale nga Prokuroria. Opozita e konsideroi këtë si proces të bllokuar qëllimisht nga mazhoranca.
Top Channel