Shtetet e Bashkuara të Amerikës informuan se zbuluan një plan të madh terrori, në të cilin agjentë të lidhur me Iranin do të vrisnin ambasadorin e Arabisë Saudite në Uashington.
Dy shtetas iranianë, njëri prej të cilëve mbajtës edhe i pasaportës amerikane, janë akuzuar për komplot, deklaroi Prokoruri i Përgjithshëm, Eric Holder. Ai shtoi se komploti ishte organizuar në Iran nga “forcat kuds”, pjesë e Gardës Revolucionare Iraniane.
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka renditur Teheranin zyrtar si sponsorizues të terrorizmit që prej vitit 1984. Holder foli “për përfshirje të qartë të Iranit në këtë komplot të organizuar mirë, i cili nëse do të ishte çuar deri në fund, do të mbante vetëm vulën e përgjegjësisë iraniane”.
Plani për vrasjen e ambasadorit saudit në Uashington u zbulua gjatë një misioni për zbulimin e infrormacioneve rreth karteleve të drogës. Të akuzuarit, Manssor Arbabsiar dhe Gholam Shakuri, i kërkuan ndihmë një të infiltruari të FBI-së, duke e menduar se ishte antar i mafias meksikane.
Përveç akuzës së komplotit për vrasjen e një zyrtari të huaj, ndaj dy shtetasve iranianë rëndojnë edhe akuzat e terrorizmit ndërkombëtar dhe të tentativës së blerjes së armëve të paligjshme.
Top Channel