Komisioni nuk do të rekomandojë hapa të mëtejshëm për Shqipërinë, pasi vendi nuk ka plotësuar kriteret kyçe. Burime diplomatike në Bruksel konfirmuan për Top Channel se në komunikatën e Komisionit për Zgjerimin pritet të thuhet se “Shqiperia aplikoi në vitin 2009, në 2010-n, BE përcaktoi prioritetet kyçe që vendi duhet t’i plotësojë për të arritur hapjen e negociatave për anëtarësim.
Megjithë progresin në disa prej këtyre fushave, Komisioni nuk ishte në gjendje të rekomandojë hapa të mëtejshëm për Shqipërinë këtë vit. Duke u bazuar në sinjalet e fundit pozitive, Komisioni inkurajon forcat politike në Shqipëri të rivendosin dhe ruajnë një nivel dialogu politik që do të lejonte funksionimin e institucioneve kyçe demokratike dhe zbatimin e reformave themelore”.
Në këto momente nuk është vendosur ende mbi rekomandimet për Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa Maqedonia ruan rekomandimin pozitiv për të 3-n herë radhazi për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE.
“Mirëqeverisja, rendi ligjor, kapacitetet administrative, reformat ekonomike dhe ato për punësimin mbeten sfida në rajon”, konkludon më tej Komisioni. “Në një numër vendesh reforma të rendesishme u vonuan shpesh si rezultat i zhvillimeve të brendshme politike dhe konflikteve. Ka pasur një numër zhvillimesh shqetësuese në lidhje me lirinë e shprehjes në media”, veçon Komisioni Europian.
Vendet që pritet të përparojnë në rrugën drejt BE-së do të shfrytezohen nga Komisioni si shembuj për t’u ndjekur nga vendet e prapambetura të rajonit në këtë proçes.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel