Që nga viti 1991 Bashkimi Europian ka akorduar miliarda euro grante për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht përmes programit Kards dhe më vonë instrumentit financiar të paraanëtarësimit, këto fonde kanë shkuar për rindërtimin e infrastrukturës, promovimin e demokracisë dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik në vendet që sapo kishin dalë nga konfliktet ushtarake apo regjimet diktatoriale.

Por cilët kanë përfituar më shumë? Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Europian tregohen grantet për frymë për secilin vend të rajonit në vitin 2010.

Vendet që kanë marrë statusin e kandidatit tentojnë të marrin më shumë fonde për cdo banor nga Bashkimi Europian. Nëse një shqiptar ka përfituar vitin e kaluar mesatarisht 29.59 euro nga grantet e Bashkimit Europian, për Kroacinë shifra ishte 34.56 euro, për Maqedoninë 45.2 euro ndërsa për Malin e Zi rreth 54.8 euro për frymë.

Por shifra e vogël e ndihmave për frymë nuk është kostoja e vetme e mungesës së statusit kandidat. Dëmi më i madh lidhet me mënyrën se si shpërndahen këto fonde. Shqipëria përfiton grante vetëm nga dy zëra të programit IPA, që janë bashkëpunimi ndërkufitar dhe ndërtimi i institucioneve.

Të dy këto zëra kanalizojnë pjesën më të madhe të fondeve në asistencë teknike, e cila shpesh shkon për të paguar pagat e ekspertëve të BE-së, që vijnë të trajnojnë administratën shqiptare apo ndihmojnë në ngritjen e institucioneve. Ndaj efekti i tyre në ekonomi është i kufizuar. Ndryshe nga Shqipëria vendet që kanë statusin kandidat, marrin grante edhe për tre zëra të tjera që janë zhvillimi rajonal, ai i burimeve njerëzore dhe mbi të gjitha zhvillimi rural.

Tre vitet e fundit, fermerët maqedonas kanë përfituar nga ndihmat e Bashkimit Europian 31.5 milionë euro mbështetje direkte. Kjo shifër është gati 10 herë më e madhe se sa subvencionet që ka dhënë qeveria shqiptare deri tani për projektin e saj më të madh në bujqësi ullishtet edhe pemtoret e tjera përfshirë dhe arrorët. Kjo do të thotë që fermerët shqiptarë, të cilët nuk kanë përfituar asnjë fond nga Bashkimi Europian, janë në dizavantazh në tregun rajonal dhe atë europian krahasuar me fqinjët e tyre maqedonas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA