Jobs vdiq nga një arrest në frymëmarrje

11/10/2011 08:05

Bashkëthemeluesi i “Apple”, Steve Jobs vdiq nga një arrest frymëmarrjeje të lidhur me përhapjen e kancerit në pankreas.

Kështu thotë certifikata e tij e vdekjes, e arkivuar në Kontenë e Santa Klarës, në Kaliforni, ku profesioni i të ndjerit është shkruar si “biznesmen i teknologjisë së lartë”.

Bashkëthemeluesi i “Apple” ndërroi jetë më 5 tetor në moshën 56 vjecare, në shtëpinë e tij në Palo Alto. Mbi trupin e tij nuk u kryen ekzaminime post-vdekjeje dhe ai u varros ditën e premte, në një funeral të fshehtë.

Certifikata e vdekjes u publikua nga Departamenti i Shëndetit Publik në Kontenë Santa Klara, bën të ditur agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Sipas dokumentit, Jobs ka pasur një “tumor neuro-endokrinolog” në pankreas në pesë vitet e fundit.

Në vitin 2004 ai njoftoi se vuante nga kanceri në pankreas, ndërkohë që pesë vjet më vonë bëri një transplant në mëlci.

Në janar të vitit 2011 ai filloi një trajtim mjekësor, duke ia lënë drejtimin e kompanisë bashkëpunëtorit të tij, Tim Cook, në muajin gusht.

Në një deklaratë për shtyp të familjes Jobs thuhet se ata ishin pranë tij kur Steve ndërroi jetë në mënyrë të qetë e paqësore.

Jobs vdiq një ditë pasi “Apple” prezantoi modelin e fundit të iPhone, 4S. Të hënën kompania tha se kishte marrë mbi 1 milion porosi për aparatin e ri, duke thyer kështu rekordin e vendosur nga iPhone 4 kur doli në treg në vitin 2010.

Ndarja tragjike nga jeta e Jobs u shoqërua me homazhe në të gjithë botën, përfshirë vendet ku regjime të ndryshme përdorin dorë të hekurt ndaj teknologjisë perëndimore.

Disa ditë pas vdekjes, kompania “Sony” njoftoi portretizimin në një film të jetës së vizionarit të madh. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA