Autoritetet gjeorgjiane i kanë hequr nënshtetësinë një prej njerëzve në të pasur të vendit, Bidzina Ivanishvili, gjithashtu i njohur si një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit Sakashvili.
Një vendim i tillë do të pengojë miliarderin që të formojë një parti politike dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Më parë gjatë ditës, Agjensia e Gjendjes Civile informoi se ai nuk e gëzon më pasaportën gjeorgjiane, pasi që prej vitit 2004 mban një pasaportë franceze.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare shkruajnë se ambiciet politike të Ivanshvilit shiheshin si një sfidë për presidentin pro-perëndimor të vendit të vogël të vendosur në Kaukaz.
Në bazë të kushtetutës së shtetit, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, vetëm personat me shtetësi gjeorgjiane kanë të drejtë të formojnë parti politike. Ivanshvili, i cili sipas revistës “Forbes” renditet midis 100 personave më të pasur në botë me një kapital prej rreth 7 miliardë eurosh, ka gjithashtu pasaportë ruse, vend ku ka vënë shumicën e pasurisë së tij.
Në një komunikatë të publikuar gjatë javës së shkuar, biznesmeni ofroi që të hiqte dorë nga të dyja pasaportat që zotëron, në mënyrë që të merrte pjesë në fushatën presidenciale të vitit 2012. 55-vjeçari gjithashtu ofroi publikisht që të shesë të gjithë bizneset e tij në Rusi dhe të dërgojë një pjesë të fitimeve në investimet publike të vendit.
Pavle Kublashvili, një Ministër i qeverisë në pushtet, sulmoi Ivanshvilin në një deklaratë për “Agjensinë Franceze të Lajmeve”, ku theksoi se ai mbështeti palën ruse, gjatë agresionit ushtarak të vitit 2008. ”Duhet të mbrojmë politikën gjeorgjiane nga paratë ruse, nga paratë e Kryeministrit Vladimir Putin”, tha Ministri.
Nga ana e tij, Ivanshvili akuzon presidentin Sakashvili se dëshiron të shndërrojë të përjetshëm qëndrimin e tij në pushtet dhe se këtë përpiqet ta realziojë nëpërmjet korrupsionit të përhapur e shtypjes me dhunë të protestave demokratike e zërit të medias.
Top Channel