Administrata e Bashkisë së Tiranës pritet të shtohet me departamente të reja, ndërsa kryetari Lulzim Basha theksoi nevojën për ristrukturim e vende të reja pune. Një ditë përpara mbledhjes së Këshillit Bashkiak, Basha foli për strategjitë e reja të institucionit që ai drejton dhe për politikën e re fiskale të institucionit.

”Do të formohen disa departamente dhe drejtori të reja. Duke nisur nga Agjensia për Mbrojtjen e Konsumatorit e drejtoria e turizmit. Struktura e re do të ketë një zyrë për investimet e huaja dhe një tjetër për investimet strategjike, që do të merret me projektet kryesore strategjike të qytetit. Gjithashtu do të ndajmë drejtorinë e artit, rinisë, kulturës e sportit në dy zyra të reja. Do të ketë edhe një strukturë mbrojtëse nga diskriminimi dhe dallimet gjinore”, deklaroi Basha.

Së bashku me heqjen e 60 taksave vendore, Kryetari i Bashkisë do të parashtrojë për miratimin në mbledhjen e nesërme hapjen e një tenderi për disa segmente të unazës së madhe të qytetit.

”Do të kërkoj që të aprovohet brenda kuadrit aktual buxhetor edhe hapja e një tenderi për projektin teknik, për segmentin që kalon nga shkolla teknologjike deri tek qendra Krisal, e cila më pas do të lidhet me unazën që është në ndërtim e sipër. Pjesë e këtij segmenti do të jetë edhe rreth-rrotullimi tek dogana, i cili do të bëhet me dy nivele”, shtoi Basha. Sipas tij, kriter i punësimit në strukturat e reja të Bashkisë së Tiranës do të jetë vetëm shërbimi ndaj qytetarit, ashtu sikurse në shkarkime ka qenë rendimenti i ulët.

Shtimi i pritshëm i vendeve të punës vjen pas akuzave që iu bënë Bashkisë për mbingarkesë me më shumë punonjës nga sa duhej gjatë drejtimit 10-vjeçar të institucionit nga Kryetari i shkuar i Bashkisë, Edi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA