Polakët i janë drejtuar qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare, të cilat qendra e djathtë në pushtet shpreson me forcë t`i fitojë.
Nëse do të arrijë të marrë shumicën e votave, platforma qytetare e Donald Tusk do të jetë partia e parë polake që do të sigurojë dy mandate të njëpasnjëshme që prej rënies së komunizmit në 1989-tën.
Tusk e ka drejtuar vendin përgjatë katër vitesh të një rritjeje të qënësishme ekonomike. Analistët mendojnë se rezultati i zgjedhjeve do të diktojë përbërjen e koalicionit qeverisës. Sondazhet tregojnë se platforma liberalkonservatore e kryeministrit është në avantazh, por epërsia e saj konsiderohet tepër e vogël.
Prandaj nga gara shumë e ngushtë nuk është çudi të dalë fitues edhe udhëheqësi nacionalkonservator i opozitës, Jaroslaw Kaczynski.
Rreth 30 milionë njerëz me të drejtë vote janë thirrur të përcaktojnë 460 deputetët e parlamentit polak. Në vëmendje është edhe pjesëmarrja në zgjedhje, duke qenë se në të kaluarën një nivel i ulët i votuesve ka favorizuar tradicionalisht partinë Ligje dhe Drejtësi të Kazinskit, e cila ka një bërthamë më kompakte mbështetësish.
Top Channel