Luftime të ashpra po zhvillohen në rrugët e Sirtes, fortesës së fundit të Muamar Gaddafit në Libi, ku trupat e koalicionit po përballen për të dytën ditë radhazi me besnikët e mbetur të Kolonelit.
Forcat e autoritetit të përkohshëm kanë marrë nën kontroll bulevardin kryesor thote BBC, duke izoluar një qendër konferencash ku janë mbledhur njerëzit e Gaddafit.
Me mijëra civilë vazhdojnë të mbeten të bllokuar në qytet. Luftëtarët e Këshillit Kalimtar u ndeshën me një rezistencë të ashpër nga snajperët pro-Gadafit ndërsa ata përpiqeshin të avanconin në vendlindjen e ish-pushtetmbajtësit. Një stuhi rëre që mbuloi Sirten e pengoi disi avancimin e forcave kundërshtare të Kolonelit. Por, marrja e kësaj rruge kyçe shihet si zhvillim tepër i rëndësishëm dhe mund të ndihmojë për të marrë vetë qendrën e qytetit.
Sirte, gati 360 kilometra në lindje të Tripolit, është një nga pikat e fundit të qëndresës së Gadafit. Luftëtarët e qeverisë së përkohshme të Libisë kanë tre javë që po përpiqen të marrin kontrollin e këtij qyteti. Në momentin që Sirte bie, liderët libjanë do të shpallin çlirimin e vendit, edhe pse Gaddafi vetë vazhdon të mbetet në arrati.
Sekretari britanik i mbrojtjes, Liam Fox, i cili ishte në Libi të shtunën, u zotua për vazhdimin e sulmeve ajrore të NATO-s edhe nëse Sirte kalon në duart e forcave të Këshillit, duke thënë se veprimet ushtarake ndërkombëtare nuk do të reshtin për sa kohë elementet pro-Gadafit do të vazhdojnë të kërcënojnë popullin e Libisë.
Top Channel