SHBA, shkatërrohet rrjeti i falsifikuesve

08/10/2011 00:00

Policia e Nju Jorkut ka shkatërruar një rrjet kriminal ndërkombëtar që
përdorte karta të falsifikuarra krediti për të blerë produkte
elektronike të shtrenjta.

Mbi 86 persona janë arrestuar dhe 25 të tjerë po mbahen nën mbikëqyrje për pjesëmarrje në këtë aktivitet, që përfshinte pesë organizata kriminale në Nju Jork.

Prokurorët e cështjes kanë deklaruar se 13 milionë dollarë janë vjedhur nga personat e arrestuar në një hark kohor prej 16 muajsh.

Anëtarët e grupeve kriminale përdornin kartat e rreme për të blerë kryesisht produkte të “Apple” dhe të jetonin në mes të luksit.

“Këta persona nuk janë nga ata që të drejtojnë pistoletën, por dëmi ndaj viktimave është i njëjti”, ka deklaruar komisioneri i policisë, Raymond Kelly.

Sipas zyrtarit, hetimet 2-vjecare treguan se pesë organizatat me bazë në Nju Jork kishin lidhje me grupe të tjera kriminale në Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azinë lindore.

“Deri më sot kjo është grabitja më e madhe dhe më e sofistikuar e të dhënave të kartave të kreditit që kemi parë ndonjëherë”, ka deklaruar prokurori i zonës së Kuinsit, Richard Brown.

Punonjës të bankave dhe restoranteve, në shërbim të bandave, vidhnin detajet e kartave të kreditit të klientëve duke përdorur një aparat të posacëm për të kopjuar të dhënat personale.

Këto të dhëna më pas u kaloheshin informaticienëve kriminelë, të cilët imitonin karta të American Express, Visa dhe llojeve të tjera.

Më pas, këto karta përdoreshin nga “grupi i blerësve” të cilët blinin produkte elektronike të teknologjisë së lartë, për t’ua shitur sindikatave kriminale në Kinë, Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Top Channel