Mbahet në fshehtësi funerali i Steve Jobs

08/10/2011 01:50

Funerali i Steve Jobs, gjeniut të Apple që ndërroi jetë ditën e mërkurë, është kryer pasditen e së premtes në fshehtësi, larg syve të medias.

Kështu të paktën pretendon Wall Street Journal në një shkrim të sajin, duke cituar një burim pranë familjes së Steve Jobs. Burimi tha për Wall Street Journal se është mbajtur nje ceremoni e vogël, me pak njerëz të pranishëm.

Ndërkohë, Apple njoftoi se nuk ka asnjë event publik në program për të nderuar ish-kreun e saj.

Dy ditë nga vdekja e tij, në SHBA ka nisur të flitet për trashëgiminë e Jobs, ku përvec milionave, lënë për familjen e tij, Jobs ka menduar edhe për Apple dhe milionat e personave që “varen” nga produktet e saj.

Disa burime nga brenda kompanisë, thanë për Wall Street Journal se janë disa dhjetra projekte të ideuara nga Steve Jobs të cilat presin vetëm materializimin. I njëjti burim thotë se këto projekte mjaftojnë për t’u hedhur në treg për të paktën 4 vitet e ardhshme.

Ndërsa familja e Jobs trashëgon një perandori të vërtetë, një kompani që shikohet si kompania me më shumë vlerë në Shtetet e Bashkuara, e përkthyer në shifra, mbi 7 miliard dollarë.

Një mal me para, që ka pasuar edhe kritikat e atyre personave të cilët mendojnë se si Warren Buffet, Bill Gates dhe Steve Jobs, duhet të sakrifikojnë një pjesë të pasurisë së tyre për bamirësi. Ku i dihet…ndoshta Jobs e ka bërë këtë me anë të testamentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA