Qyteti libian i Sirtes është zgjuar me të shtëna tanku, një ditë pasi autoriteti i përkohëshëm i vendit luftoi për të arritur në qendër të qytetit, duke hasur një rezistencë të ashpër.
Korrespondenti i BBC thotë se trupat pro-Gaddafi po bëjnë një rezistencë të jashtëzakonshme në një nga qytetet e fundit që nuk ka kaluar nën kontrollin e Këshillit të Tranzicionit.
Trupat nisën sulmin në vendlindjen e kolonelit ditën e premte, duke zaptuar njëra pas tjetrës rrugët e tij.
Nga përleshjet 12 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 190 të plagosur. Mësohet se mijëra civilë kanë braktisur Sirten, por edhe shumë të tjerë kanë qëndruar atje.
Dy palët luftuan me njëra-tjetrën me mortaja, raketa dhe tanke, në atë që forcat kryengritëse e kanë cilësuar si sulmi final.
Forcat anti-Gaddafi morën nën kontroll pothuajse tërë Libinë dy muaj më parë, duke rrëzuar liderin Muammar Gaddafi, që qeveriste vendin prej disa dekadash.
Koloneli u largua nga Tripoli kur qyteti ra, por vendndodhja e tij mbetet ende mister. Disa anëtarë të familjes së tij ose janë larguar, ose vazhdojnë të fshihen në vend.
Korrespondenti i BBC në Sirte, Jonathan Head thotë se Libia nuk ka pasur mundësi të mendojë për të ardhmen gjatë kohës që binte regjimi i Gaddafi-t.
Trupat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit hynë në Sirte nga Misrata në perëndim dhe nga Bengazi në lindje. Ata u përballën me një rezistencë të fortë të snajperave pro-Gaddafi, të cilët ngadalësuan ofensivën e tyre.
Muajin e kaluar NATO zgjati misionin e tij në Libi, por entuziazmi i Aleancës u shfry pasi Uashingtoni paralajmëroi aleatët se nuk do të financojë më planet ushtarake të tyre.
Ndërkohë, frika më e madhe e të gjitha qeverive perëndimore pas rënies së kolonel Gaddafi-t është zhdukja nga arsenali i tij e 20 mijë raketave anti-ajrore të prodhuara në Rusi.
Top Channel