
Ermelinda Meksi – Në Raport-Progresin e BE-së për vitin 2010 për herë të
parë theksohet me shqetësim se: “Politikat prociklike të financave
shqiptare – përbëjnë një risk të vazhdueshëm për zhvillimin e vendit” (
Fq.48).
Tashmë është e qartë se politika buxhetore e qeverisë shqiptare ka rezultuar në rritjen e borxhit përtej mundësive tona. Qeveria, në mungesë të një vizioni të qartë të zhvillimit, rendi drejt përdorimit të të ardhurave buxhetore për qëllime elektorale, duke çuar në rritjen e borxhit shqiptar e veçanërisht atij tregëtar me interesa të larta. Politika prociklike sipas BE ka filluar që prej vitit 2006, kur edhe të ardhurat shtesë të realizuara në vitet 2006-2008 nga politika qeveritare e taksës së sheshtë (që gjithsesi rëndoi mbi punonjësit me paga të ulta duke lehtësuar korporatat e pasura) si dhe privatizimet, në vend që të përdoreshin për të ulur borxhin publik solli thellimin e tij.
Të ardhurat e kësaj periudhe u përdorën në fakt për investime kapitale elektorale abuzivisht shumë të shtrenjta dhe joefektive. Shqetësimi për këtë situatë vjen, sepse të ardhurat nga privatizimi, që për disa vite mbuluan gropat financiare, nuk do jenë më si më parë mbasi mbetet pak për t’u privatizuar.
Rritja ekonomike ka rënë nën parashikimet e qeverisë, megjithë “pompimin” e parave në ekonomi përmes rritjes së paprecedentë të borxhit publik. Situata pritet të jetë më gri në vitin 2011 e në vitet në vazhdim, në kushtet e pamundësisë së qeverisë për të përdorur borxhin si instrument të rritjes.
Bota njerëzore një ditë më parë përjetoi humbjen e Steve Jobs, kësaj mendjeje vizionare, krijuese e kompanisë Apple, I-phone I- pod, I -pad, I-mac, I-tune, duke lënë pas, një kompani madhështore që vetëm një mendje si e tij e ndërtoi.
Reagimi për vdekjen e tij erdhi menjëherë nga Presidenti Obama, i cili u shpreh se: “Steve ishte midis më të mëdhenjve inovatorë amerikanë, i guximshëm aq sa të mendonte ndryshe, i dallueshëm aq sa të besonte se do ndryshonte botën dhe talentuar aq sa ta bënte realitet këtë ndryshim”.
Thënia lapidare e Stive Jobs që e nxiti atë në rrugën inovatore të prodhimeve high tech ishte: “Njerëzit kanë nevojë për diçka, le t’ja u japim atyre atë!”
Ishte kjo filozofi e tij, që solli evolucionin e paprecedentë teknologjik të kompanisë “Apple”.
Duke iu rikthyer debatit për buxhetin 2010, dua të bëj paralelen duke pyetur: – Po te ne çfarë nevoje kanë njerëzit?
Jo vetëm si studiuese e ekonomisë, por edhe më shumë si politikane prej 20 vjetësh, kam kuptuar se ata kanë nevojë që ekonomia të zhvillohet. Sepse kjo është rruga për rritjen e mirëqenies së tyre. Por a mund të arrihet kjo duke u kënaqur me shifrat fiktive të rritjes që ofron përgjithësisht qeveria?
Analiza e këtij buxheti tregon se rritja e të ardhurave buxhetore, ka qenë së pari: produkt i rritjes së çmimeve, si rezultat i zhvlerësimit të lekut, të cilën e kanë paguar shqiptarët si një taksë më shumë, por të fshehtë dhe së dyti, si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave jo tatimore, nga licenca e 3G.
Po ku jemi në fakt me situatën ekonomike sot për vitin 2011? Propaganda euforike për rritje ekonomike përgënjeshtrohet nga të ardhurat buxhetore që kanë shfaqur tendencë të theksuar në rënie, duke vërtetuar pavërtetësinë e gjoja rritjes 5% të ekonomisë. Nëse do ishte e vërtetë rritja ekonomike që pretendon qeveria përse të ardhurat nominale buxhetore janë edhe nën nivelin e inflacionit kur duhej të ishin rreth 4 herë më të larta?
Në këtë situatë, zotërinjtë e qeverisë mund ta “mundin” opozitën, me ndihmën e shifrave të klientokracisë së institucioneve të varura të ekonomisë si INSTAT dhe Banka e Shqipërisë, por nuk mund të ndryshojnë me retorikë realitetin tonë ekonomik.
Rritja e mbështetur në borxhe, që nuk garantojnë rritje, nuk është e qëndrueshme, ajo mbetet fiktive, me rreziqe për ekuilibrat makroekonomikë. Kjo është arsyeja që kjo çështje është adresuar si asnjëherë edhe në raportin e fundit të BE-së.
Është koha t’ju rikujtoj porosinë e FMN-së për të pyetur specialistët e pavarur apo të ftojmë profesoratin e nderuar të universiteteve që tashmë ka arritur në rreth 42, për një programim mbi shifra reale të uljes së borxhit me qëllim ruajtjen e stabilitetit makro dhe mos t’u lëmë brezave që do vijnë koston e paaftësisë së sotme qeverisëse me pasoja dramatike sikurse po ndodh në vendin fqinj Greqinë, kur megjithatë ne nuk kemi dhjamin apo luksin e saj si vend i BE-së.
Stabilitetit ekonomik të vendit nuk i shërben situata, kur qëndrimit euforik të mazhorancës i mban ison një institucion i pavarur, shumë i rëndësishëm, si Banka e Shqipërisë. Në konferencën e fundit për shtyp Guvernatori i saj deklaron: “…Se megjithëse të dhënat e reja ekonomike të muajit shtator janë të pakta. …Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë rritje gjatë vitit 2011…».
Kjo frazë ezopike nuk është e mjaftueshme në kushtet kur Banka ka përgjegjësinë të shpjegojë e hedhë dritë përse të ardhurat rriten vetëm 2,2% nëse rritja është 5%? Kujtoj se vetëm po të ndiqte rritjen e inflacionit 3,85% rritja e të ardhurave duhej të ishte të paktën në nivelin e tij dhe jo më poshtë edhe sikur rritja ekonomike të ishte në nivelin zero. Fatkeqësisht, Banka e Shqipërisë nuk jep asnjë parashikim mbi nivelin e pritshëm të rritjes për 2011, sepse nuk guxon të përgënjeshtrojë qeverinë.
Në fakt, treguesit që reflektojnë realisht rritjen ekonomike të një vendi janë investimet e huaja direkte (FDI) dhe konsumi i popullsisë të cilat në Shqipëri për vitin 2011 rezultojnë në rënie, kundrejt vitit të kaluar, pavarësisht mburrjeve kryeministrore mbi investimet e huaja, që u dedikohen kryesisht privatizimeve strategjike. Po të jetë ndryshe do uroja të më përgënjeshtrojnë institucionet përgjegjëse “të pavarura”.
Banka e Shqipërisë, jashtë funksionit si institucion i pavarur
Cilat janë arsyet reale që mazhoranca refuzon paktin e ofruar nga PS për Shqipërinë europiane mbi pavarësimin dhe rritjen e profesionalizmit të institucioneve qendrore dhe kushtetuese? Nëse e përmbledhim me pak fjalë herezinë për të mos diskutuar në interes të fuqizimit të ekonomisë së vendit zgjedhjen e Guvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, por për ta lënë atë në dorën e “të madhit”, shpjegimi lidhet me nevojën për të fshehur realitetin ekonomik, apo për të financuar në mënyrë prociklike fushatat me paratë e Bankës së Shqipërisë, sikurse ndodhi me privatizimin prej saj të Hotel Dajtit në prag të fushatës. Zyrtarisht ekonomia shqiptare paraqitet sot “parajsa”, që si në përrallën ‘Rrobat e mbretit” të vërtetën e saj nuk e kupton vetëm “mbreti”. Në gjithë situatën e “parajsës ekonomike”, por që në fakt reflekton krizën më të thellë të ekonomisë që nga viti i mbrapshtë i ’97-s, prapësitë e qeverisë që ka çekuilibruar të gjithë treguesit e stabilitetit makro të vendosur me shumë sakrifica, nuk janë raportuar siç duhet ( dhe jo me gjuhën e Ezopit si ajo parapëlqen të shprehet), thuajse asnjëherë nga Banka Qendrore, e cila ka për detyrë ligjore stabilitetin e përgjithshëm të çmimeve, tashmë dhe ky objektiv jashtë kontrollit të saj.
Ajo me vonesë, ka raportuar edhe për zgjerimin e deficitit buxhetor. Por brenda çdo raporti të saj, nuk ka guxuar asnjëherë të analizojë efektet reale të këtij deficiti, duke u munduar të ‘relaksojë” qeverinë me “gjetje” të sajuara pozitive. Dhe aq më pak të shpjegojë pasojat që do sjellë përkeqësimi i shfaqur këtë vit për Bilancin e Pagesave dhe Llogarisë Korente. Kjo situatë do ketë si pasojë zhvlerësimin e lekut, duke nxitur për pasojë, akoma më shumë rritjen e çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëse të shqiptarëve.
Kaq do mjaftonte për të çmuar se pavarësia e Bankës Qendrore ka përfunduar me kohë dhe tashmë duhet ridimensionuar që të mos bëhet problem për stabilitetin financiar të vendit. Kjo është arsyeja që opozita socialiste këtë çështje e ka adresuar në paktin e saj për integrimin. Çdo interpretim tjetër është “advokaci” për fshehjen e realitetit ekonomik e financiar.
Në këto kushte është imperative dëgjimi i këshillave të FMN-së dhe BE-së për ekonominë dhe institucionet e pavarura të saj. Kjo nuk është më një zgjedhje, por domosdoshmëri për Shqipërinë.
Top Channel