Të paktën 56 persona janë vrarë në një seri incidentesh rrugore në Kinë, mes të cilëve 35 të rinj që udhëtonin në një autobus.
Autoritetet kineze thanë se një autobus me shpejtësi të lartë goditi një makinë në një autostradë në veri të Kinës dhe u përmbys duke hedhur pasagjerët në rrugë.
Më pas 10 persona të tjerë humbën jetën në një aksident ku u përfshinë 24 makina, për shkak të mjegullës që kishte përfshirë provincën lindore Anhui.
Ndërsa 11 të tjerë humbën jetën në provincën qendrore të Henanit, kur një kamion u përplas me një furgon.
Aksidentet kanë ndodhur të gjitha në ditën e fundit të një jave pushimi kombëtar të caktuar nga autoritetet kineze.
Studentët që udhëtonin në autobus, në qytetin-port Tinaxhin, po kthehshin në shkollë në momentin kur ndodhi aksidenti. 19 të tjerë mbetën të plagosur, ndërkohë që shoferi është në gjendje kome, bëjnë të ditur agjencitë kineze të lajmeve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, cdo vit në Kinë humbasin jetën nga aksidentet rreth 100 mijë persona, ndërkohë që rreth 500 mijë të tjerë mbeten të plagosur.
Kinë, përplasje në metro, qindra të plagosur
Muajin e kaluar një aksident në metronë e Shangait shkaktoi plagosjen e më shumë se 260 pasagjerëve.
Ngjarja shtoi dyshimet se në garën për të zhvilluar rrjetin e gjerë hekurudhor në vend, siguria është lënë pas dore.
Kinë, autobusi bie në lumë, 16 viktima
Ndërsa në fillim të tetorit 16 persona humbën jetën dhe 17 të tjerë u plagosën kur një autobus ra në lumin Xiangxi, në provincën Hubei.
Shoqata Kombëtare e Turizmit njoftoi se në autobus ndodheshin 34 persona. Ngjarja ndodhi në ditën e parë të festës kombëtare të Kinës.
Top Channel