Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, deklaroi se qeveria e tij dhe NATO kanë dështuar në objektivin e tyre për t’i garantuar afganëve siguri, dhjetë vjet pasi regjimi taleban është rrëzuar.
Duke folur në BBC, Karzai gjithashtu akuzoi Pakistanin, për mbështetjen e grupimeve terroriste në vend. Presidenti lajmëroi edhe për vendimin e tij e largimit nga politika në përfundimin e mandatit në 2014.
”NATO, SHBA dhe fqinjët tanë të Pakistanit duhet të ishin përqendruar shumë më tepër që në fillim të vitit 2002, në luftën kundër talebanëve”, u shpreh Karzai. “Në dekadën e fundit, janë regjistruar arritje të rëndësishme në fusha si arsimimi, ekonomia, etj, por afganët vazhdojnë të bëjnë një jetë shumë të pasigurtë dhe për këtë kanë përgjegjësi të gjithë. Pikërisht tek siguria shoh edhe mungesën më të madhe të koordinimit midis qeverisë sonë dhe partnerëve ndërkombëtar. Çdo ndihmë e ardhshme ndërkombëtare, duke të përqendrohet pikërisht në këtë fushë”.
Në fjalën e tij, Karzai përsëriti edhe akuzat e rënda ndaj fqinjëve pakistanezë. “Politika e Pakistanit ndaj Afganistanit ka qenë e dyfishtë. Të jeni të sigurt se talebanët nuk do të kishin qenë në gjendje të lëviznin qoftë dhe një gisht pa mbështetjen e shërbimeve sekrete të Islamabadit zyrtar”.
Pavarësisht një përmirësimi të vogël në standartin e jetës, sfidat për popullin afgan mbeten shumë të mëdha. Ndonëse 57 miliadë dollarë janë shpenzuar gjatë dekadës së fundit në misione joushtarake, shumë fonde janë shpenzuar në mënyrë jotransparente dhe s’kanë mundur të ofrojnë një përmirësim të ndjeshëm të jetës për afganët.
Top Channel