Uji i Tokës erdhi nga hapësira

06/10/2011 16:00

Hartley 2 përmban më shumë ujë si ai i oqeaneve tona se çdo kometë tjetër e studiuar deri më sot.

Ky është rezultati i një pune të gjatë kërkimore përmes teleskopit hapësinor Herschel me qëllim matjen e sasisë së deuteriumit, një tip i rrallë hidrogjeni i pranishëm në ujin e kometës. Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, i jep shtysë të fortë aludimeve se një pjesë e mirë e ujit në tokë mund të ketë qenë pasojë e impaktit të kometave. Disa milionë vjet pas formimit, planeti ynë ishte i thatë dhe shkëmbor. Diçka duhet të ketë ndodhur që solli ujin në tokë. Sasia e deuteriumit që përmban është për ujin si shenjat e gishtërinjve dhe vetëm 5-6 kometa janë matur deri më tani në mënyrë të tillë.

Tek të gjitha është vënë re një nivel i kësaj lënde dy herë më i lartë se ai i oqeaneve tona, çka i vjen për shtat teorisë aktuale se asteroidët kanë qenë me të gjithë gjasat bartësit e ujit. Kometa Hartley 2 është objekti i parë i rripit të Kuiper-it, apo brezit të asteroidëve siç njihet ndryshe, që i nënshtrohet analizës së deuteriumit.

Pa ujin, jeta në tokë nuk do të ekzistonte, thotë astronomi Ted Bergin i universitetit të Michiganit, njëkohësisht pjesë e ekipit të shkencëtarëve që bënë zbulimin. Për këtë arsye, është thelbësore të sqarohet se si u krijuan oqeanet. Është një pazëll i madh dhe gjetjet e fundit përbëjnë një pjesëz të rëndësishme të tij.

Ideja që kometat mund të përmbajnë ujë ka rreth një dekadë në qarkullim, që kur kometa Linear u thërrmua pas kalimit pranë Diellit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA