Bordi i agjencisë së OKB-së për kulturën, UNESCO, ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Autoritetit Palestinez për anëtarësim të plotë.
40 nga 58 anëtarët e bordit mbështetën projekt/rezolutën palestineze. Shtetet e Bashkuara ishin mes 4 anëtarëve që votuan kundër, ndërkohë që 14 të tjerë abstenuan.
Drafti do t’u paraqitet të 193 vendeve anëtare në fund të muajit. Ai është një tjetër hap në kuadër të fushatës së diplomatëve palestinezë për njohjen e Palestinës si shtet.
Por fushata në fjalë kundërshtohet ashpër nga Kuarteti dhe Izraeli, që thonë se shteti i pavarur palestinez mund të krijohet vetëm përmes negociatave me palën izraelite.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton e cilësoi si “të pashpjegueshëm” vendimin e UNESCO-s për të shqyrtuar më tej kërkesën palestineze.
“I bëj thirrje bordit qeverisës të UNESCO-s që të mendohet sërish para se ta kalojë kërkesën në votim, sepse vendimi për statusin duhet të bëhet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe jo në grupet e varura prej saj”, deklaroi zonja Clinton.
Ambasadori izraelit në UNESCO, Nimrod Barkan tha se lëvizja do të dëmtojë agjencinë dhe nuk do të cojë përpara aspiratat e palestinezëve.
Franca, që abstenoi ndaj mocionit, tha se nuk është koha e duhur që palestinezët të bindin UNESCO-n për anëtarësim të plotë në të.
Palestina ka në UNESCO statusin e vëzhguesit që prej vitit 1974. Tentativat e saj për kthimin nga territor në shtet të pavarur dhe sovran kulmuan me kërkesën që presidenti Mahmud Abbas dorëzoi në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Top Channel