Kuvendi miratoi me 71 vota pro pas katër orë debatesh të forta mes maxhorancës dhe opozitës buxhetin faktik të vitit të kaluar.
Kryeministri Berisha dhe Ministri I Financave, Ridvan Bode, deklaruan se përmes këtij buxheti u bë e mundur ruajta e stabilitetit financiar të vendit dhe mbajtja në ritme pozitive e ekonomisë përmes investimeve në infrastrukturë dhe turizëm.
Megjithatë, deputetët e opozitës, të cilët votuan kundër deklaruan se buxheti rriti borxhin dhe mbi të gjitha barrën fiskale mbi shtresat e ulëta dhe të mesme.
Duke iu referuar shifrave, deputeti socialist Erjon Braçe vuri në dukje se buxheti 2010 nxorri në pah pabarazinë e madhe sociale që ka krijuar politika e taksave të qeverisë, e cila ka rritur fort barrën për shtresat e mesme dhe të varfëra, duke ulur taksat për të pasurit.
Sipas Braçes, në 2010-n, qeveria u morri qytetarëve, përmes taksave të konsumit 1.5 miliardë dollarë, ndërkohë që bizneset e mëdha paguan tatim fitimi gati 8 herë më pak se kaq.
Prej disa kohësh opozita ka vënë në qëndër të platformës së saj ekonomike rishikimin e politikave fiskale, duke kërkuar uljen e taksave të konsumit që sipas saj do lehtësojnë shtresat e varfëra, për të zbutur pabarazinë në vend.
Top Channel