Shtetet e Europës Perëndimore dhe SHBA protestuan fuqimisht, pas vendimit të përbashkët të Rusisë dhe Kinës për të bllokuar një rezolutë në OKB, e cila do të dënonte dhunën e ushtruar nga regjimi sirian ndaj civilëve.
Dy superfuqitë vendosën veton me argumentimin se nga mënyra se si ishte paraqitur rezoluta, ajo nuk ofronte asnjë garanci për një mosndërhyrje ushtarake. Ambasadorja amerikane në OKB braktisi sallën në mënyrë demonstrative, pas këtij akti.
Në një deklaratë të mëpasshme, ajo e cilësoi vendimin si “të turpshëm, i cili e lë Uashingtonin të çuditur dhe të tronditur”.
Ministria e Jashtme Franceze reagoi nga ana e saj duke e cilësoi këtë ditë si “një ditë të trishtë për të gjithë popullin sirian”. Ministri Alain Juppe, theksoi se “me këtë veto, rrëzohet këtë herë edhe roli i OKB-së në botë, ai i ngritjes së zërit përballë një diktatori është duke masakruar qytetarët e thjeshtë”.
I ashpër edhe reagimi gjerman, me Ministrin e Jashtëm, Guido Westerwelle, që cilësoi se: “dështimi i rezolutës është një ngjarje për të ardhur keq. Megjithatë, Gjermania do të vazhdojë të ushtrojë presion, në arenën ndërkombëtare dhe sidomos brenda Bashkimit Europian, në mënyrë që regjimi sirian të marrë një sinjal të qartë dhe të pagabueshëm”.
Në shpjegimin e arsyeve për veton, Ambasadori Rus në OKB, Vitaly Churkin, theksoi se “rezoluta ishte mbështetur në filozofinë e konfrontimit”, ndërsa përsëriti shqetësimet e Moskës se ai dokument mund të përdorej më pas për një ndërhyrje si ajo e stilit libian.
Ambasadori Kinez në OKB, Li Baodong, u shpreh se “nuk është pjesë e politikës së Pekinit, për të ndërhyrë në punët e brendshme të shteteve të tjera. Sanksionet dhe kërcënimet vetëm sa do të rëndonin më shumë situatën”.
Interesant qëndrimi i Turqisë, një vend kufitar me Sirinë dhe për shumë kohë aleat i regjimit të presidentit Bashar al-Assad, Ankaraja zyrtare u shpreh në favor të ushtrimit të presionit mbi Damaskun.
Që prej shpërthimit të protestave anti-qeveritare më parë gjatë vitit, 2 700 persona kanë humbur jetën në përleshjet me forcat qeveritare.
Top Channel