
Një pab i njohur në Angli ka fituar betejën e fortë ligjore për të
transmetuar ndeshjet e Premier League duke përdorur një dekoder të huaj
televiziv.
Pronares Karen Murphy iu desh të paguante 8 mijë stërlina gjobë për përdorimin e një dekoderi më të lirë grek në pabin e saj në Portsmuth.
Por ajo e coi cështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, e cila thotë se ligjet kombëtare që ndalojnë importin, shitjen, ose përdorimin e kartave të dekoderëve të huaj bien në kundërshtim me lirinë për të përdorur shërbime të ndryshme.
Gjykata deklaron se legjislacioni kombëtar, që ndalon përdorimin e dekoderëve të huaj, nuk mund të justifikohet as kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të pronës dhe as kur bëhet fjalë për inkurajimin e publikut për të ndjekur futbollin në stadiume.
“Jam e lehtësuar, shumë e lehtësuar. Ka qenë një proces i vështirë, me ngritje dhe ulje nervash dhe tani jam e lumtur që përfundoi. Më duket sikur kam fituar ndaj Premier League dhe Sky”, ka deklaruar zonja Murphy.
Ajo ka bërë të ditur se prej kohësh nuk kishte më një dekoder në pabin e saj “Red, White & Blue” dhe ka shtuar se do të presë “stampimin” e vendimit për ta instaluar atë sërish.
Top Channel