
Presidenti Barack Obama është i vetëdijshëm se niset në dizavantazh në
zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, për shkak të situatës së rëndë
ekonomike.
Megjithatë, ai thotë se ka vizionin për të cilin Amerika ka nevojë dhe ka besim se plani i tij për punësimin do të japë së shpejti frytet e tij.
“Unë jam mësuar të nisem në dizavantazh, por në fund njerëzit do të pyesin: Kush është ai që ka vizion?”, ka thënë Obama në një intervistë për ABC.
Edhe javën e kaluar, në një eveniment zgjedhor në Xhorxhtaun, Obama pranoi se rizgjedhja do të jetë e vështirë pikërisht për faj të krizës ekonomike.
“Ekonomia po del nga një recesion botëror, në kushte të tilla rikonfirmimi nuk është aspak i lehtë”, tha Obama.
E vetmja mënyrë për t’ia dalë mbanë, shtoi ai, është të impenjohemi të gjithë për këtë qëllim.
“Shpresoj të jeni të gatshëm për një vit pune të vështirë”, theksoi presidenti amerikan.
Përpara se t’i shpëtonin këto nota pesimizmi, Obama kishte sulmuar Partinë Republikane, duke thënë se ajo po tenton të abrogoje ligjin në mbrojtje të ambjentit, të reduktojë në maksimum funksionimin e qeverisë e të pengojë mjaft inciativa të vlefshme.
Top Channel