Pionierët e imunitetit ndajnë këtë vit cmimin Nobel për mjekësinë. Tre shkencëtarët që revolucionarizuan të kuptuarit e mënyrës sesi trupi lufton infeksionet janë fituesit e cmimit prestigjoz.
Bëhet fjalë për amerikanin Bruce Beutler, Jules Hoffmann-in nga Luksemburgu dhe kanadezin Ralph Steinman. Professor Beutler dhe Hoffman ishin ata qe zbuluan sesi aktivizohet vija e pare e mbrojtes së trupit të njeriut. Professor Steinman nga ana tjetër, zbuloi qelizën dendritike, e cila ndihmon në mposhtjen e infeksioneve.
Sistemi imunitar mund te ndahet në dy linja të mëdha: i lindur dhe i fituar. I pari shërben si përgjigje e menjëhershme dhe ndalon infeksionet duke luftuar mikroorganizmat e huaj. I dyti, mund të fitohet në rrugë aktive kur në organizëm futen struktura antigjenike të dobësuara ose në mënyrë pasive, përmes antitrupave të gatshëm në situata kur infeksioni është masiv dhe nuk ka rrugë tjetër që të luftohet.
Pikërisht, puna e tyre për zbërthimin e sistemit imunitar i ka sjellë tre shkencëtarëve Nobelin e Mjekësisë për vitin 2011-të.
“Asambleja e Nobelit dhe Instituti Karolinska vendosën që cmimin për mjekësinë ta ndajnë gjysmën mes Bruce Beutler dhe Jules Hoffmann për zbulimet e tyre mbi aktivizimin e imunitetit të lindur, dhe pjesën tjetër Ralph Steinmanit për gjetjen e qelizës dendritike dhe rolit të saj në imunitetin e fituar”, tha, Goran Hansson, sekretar i përgjithshëm i komitetit të Nobelit.
“Të tre këta shkencëtarë hapën horizonte të reja përsa i takon mekanizmit të sëmundjeve. Hapën rrugë të reja për parandalimin e sëmundjeve infektive, për terapitë e lidhura me auto-imunitetin apo inflamacionet, si dhe për zhvillimin e vaksinave”, thotë profesori, H.G LJUNGGREN.
Ky vendim i komitetit të Nobelit nënkupton se Beutler dhe Hoffman do të ndajnë gjysmën e çmimit prej 1,5 milion dollarësh, ndërsa Steinman do të marrë gjysmën tjetër.
Shkencëtarët vlerësohen për punën e tyre që mund të çojë në kurimin e kancerit dhe sëmundjeve të tjera.
Akademia mbretërore suedeze e shkencës do të emërojë fituesit në fizikë të martën dhe në kimi të mërkurën, ndërsa cmimi tjetër tepër i rëndësishem, Nobeli i Paqes për 2011-n, do të njoftohet ditën e premte.
Top Channel