Japonia konfirmoi se do të vazhdojë ritualin e përvitshëm të gjuetisë së balenave, pavarësisht protestave të ashpra nga grupimet ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve.
Ministri i Peshkimit, Michihiko Kano, informoi se anije shtesë do të shoqërojnë peshkarexhat, për t’i mbrojtur nga ngacmimet e mundshme të mjeteve lundruese të grupimeve kundër kësaj lloj gjuetie.
Një vit më parë, Japonia u detyrua të ndërpriste përpara kohe sezonin e gjuetisë, për shkak të bezdisjes së vazhdueshme nga ana e ekologjistëve.
AUstralia, e cila do të sfidojë gjuetinë japoneze të balenave në një gjykatë ndërkombëtare, protestoi ashpër ndaj këtij vendimi.
“Ekziston një shqetësim botëror për programin japonez të gjuetisë së balenave dhe një thirrje ndërkombëtare për ndërprerjen e një praktike të tillë të përgjakshme, thirrje e cila nuk mund të vazhdojë të injorohet”, u shpreh Ministri i Jashtëm i Australisë, Kevin Rudd.
Top Channel