Ministrat e Financave të vendeve të eurozonës kanë shtyrë vendimin për dhënien e këstit të radhës të ndihmave për Greqinë.
Shtyrja e vendimit ka ardhur pasi Greqia tha se nuk do të arrinte dot shkurtimin e deficitit brenda vitit, duke shkaktuar një rënie të ndjeshme në tregjet botërore.
Megjithatë, shefi i eurogrupit, Jean Claude Juncker tha se nuk do të lejohet që Greqia të falimentojë për shkak të borxhit të saj.
Kësti i ardhshëm prej 8 miliardë eurosh duhet të lëshohet nga mesi i nëntorit.
Ministrat e Financave, gjatë një takimi në Luksemburg, duket se arritën një marrëveshje për t’i lejuar Finlandës të marrë fonde paralele si shenjë sigurie ndaj kontributit të saj për Fondin Evropian të Stabilitetit Financiar.
Autoritetet finlandeze kishin kërcënuar se do të bllokonin ndihmat e mëtejshme për Greqinë nëse nuk arrihej kjo marrëveshje.
Athina njoftoi se deficiti i vitit 2011 ishte planifikuar të ishte 8.5 për qind të GDP-së, më pak se 10.5 për qind që ishte në 2010, por më lartë se kuota 7.5 për qind e vendosur nga BE dhe FMN.
Inspektorët nga Unioni dhe Fondi, si dhe nga BQE ndodhen në Athinë për të ekzaminuar pozitën financiare të Greqisë, rënia ekonomike e të cilës parashikohet se do vijojë edhe në 2012-ën.
Një takim i ardhshëm i vendeve të eurozonës do të mbahet më 13 tetor, ku do të vlerësohet nëse hapat e Greqisë për të balancuar buxhetin e saj janë të mjaftueshme.
Top Channel