
Dalai Lama ka anuluar udhëtimin e tij në Afrikën e Jugut, ku ishte ftuar
nga laureati i cmimit Nobël për Paqen, arqipeshkvi Desmond Tutu.
Zyra e liderit shpirtëror tibetian ka deklaruar se qeveria afrikano-jugore nuk arriti t’i jepte në kohë atij vizën e nevojshme.
Dalai Lama do të merrte pjesë në celebrimet e së premtes për të shënuar 80-vjetorin e lindjes së arqipeshkvit.
Nga ana e saj, qeveria e Pretorias ka deklaruar se nuk është ndodhur nën presionin e Kinës për të shmangur vizitën.
Polemikat kanë lindur pas vizitës që nënpresidenti i Afrikës së Jugut, Kgalema Motlanthe zhvilloi në Kinë javën e kaluar.
Ai qëndroi atje katër ditë dhe nënshkroi me zyrtarët kinezë një seri marrëveshjesh dypalëshe, kryesisht për marrëdhëniet tregtare dhe investimet.
Gjatë kohës që ishte në Kinë, Motlanthe nuk e përmendi cështjen e vizës. Është e dyta herë në dy vitet e fundit që Dalai Lamës i bllokohet vizita në Afrikën e Jugut.
“Shenjtëria e tij do të nisej në Afrikën e Jugut më 6 tetor, por atij ende nuk i është dhënë viza”, deklaroi zyra e murgut në veri të Indisë.
“Ne jemi të bindur se për një apo disa arsye qeverisë së Afrikës së Jugut nuk i leverdis t’i japë një vizë shkëlqesisë së tij Dalai Lama”, thuhet më tej në deklaratën për shtyp.
Top Channel