Berluskoni: Do ta nxjerr Italinë nga kriza

04/10/2011 01:35

“Në këto momente po mendoj për problemet e vendit, ligji elektoral nuk është një çështje me të cilën po merrem. Ajo që kam në zemër është të vazhdoj të punoj për ta mbrojtur Italinë nga borxhi ynë publik dhe ta nxjerr nga kriza”. Kështu u shpreh në daljen e tij të djeshme publike, kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni.

Ai foli për momentin e vështirë financiar që po kalon vendi i tij dhe premtoi reforma të thella.

“Reformat që më interesojnë aktualisht janë ato fiskale, të arkitekturës kombëtare dhe drejtësisë. Brenda gjysmës së parë të tetorit do të propozojmë një dekret të ri ligjor, me masa konkrete dhe efikase të cilat do të rikthejnë besimin e qytetarëve”, shtoi kreu i ekzekutivit italian.

Në fund, Berluskoni ironizoi partitë e së majtës, që sipas tij nuk po kontribuojnë aspak në çështjet e rëndësishme, dhe mediat kundërshtare:

“Shpresoj që opozita të japë kontributin e saj për reformat. Duhet të mendojnë për të mirën e përbashkët dhe jo vetëm për karrigen e kryeministrit. Të gjithë të tjerat janë vetëm fjalë të kota dhe një teatër i përditshëm i politikës, që për fat të keq, vihet në skenë çdo ditë në gazeta, televizione e faqe interneti, duke prodhuar rrëmujë e duke demoralizuar njerëzit”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA