Reforma, PD: I kthyem përgjigje PS-së

03/10/2011 20:05

Në një deklaratë për mediat negociatorët e Partisë Demoktratike kanë deklaruar se, i kanë shqyrtuar propozimet e PS-së për reformën zgjedhore dhe se i kanë kthyer përgjigje me shkrim.

Në deklaratën e tyre thuhet se, “për rrjedhojë deklarata e kreut të PS-së Rama, se nuk ka marrë një përgjigje nuk qëndron”.

Por negociatori i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri theksoi në një prononcim për Top Channel se e gjitha kjo është një farsë dhe se PD ka hequr nga lista e diskutimeve të gjitha kërkesat e PS-së.

“I kemi dorëzuar një projekt PD-së, kemi këmbyer mendimet, kur sot papritur dëgjojmë një deklaratë të negociatorëve të PD se kanë kthyer një përgjigje me shkrim, për të zëvendësuar deklaratën e Berishës të javës së kaluar. Kjo nuk është serioze”, deklaroi Gjiknuri.

Deputeti socialist nënvizoi se kërkesat e PS kishin si objektiv reformën zgjedhore në bazë të problemeve të konstatuara në zgjedhjet e fundit dhe në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Berisha nuk është serioz, deklaratat e tij po dalin një gënjeshtër e madhe. Nuk ka ndodhur kurrë që një reformë zgjedhore të mos preket. Kjo është një pseudoreformë”, nënvizoi Gjiknuri.

Pakti i PS për Shqipërinë si gjithë Europa u publikua 10 ditë më parë. Përmes tij socialistët kërkojnë:

1. Të votohen menjëherë rregullat e bashkëjetesës në sallën e kuvendit.

2. Të ngrihet menjëherë komisioni i përbashkët parlamentar ‘ad hoc’ për të miratuar reformën institucionale të parlamentit.

3. Të vendoset me marrëveshje dypalëshe përfundimi i reformës zgjedhore brenda marsit të vitit 2012, bazuar në të gjitha rekomandimet e dy raporteve të fundit te OSBE-ODIHR, duke rënë dakord që cdo propozim i opozitës që merr dritën jeshile të OSBE apo Komisionit të Venecias, të miratohet me konsensus.

4. Të adresohet me një proces konsensual zgjedhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Të votohet konsensualisht kandidati i përzgjedhur në bazë të ligjit si guvernator.

5. Të zgjidhe konsensualisht kryetari i KLSH-së.

6. Të zgjidhet konsensualisht Avokati i Popullit për të gjetur një figurë që nuk ka milituar në partitë e mëdha.

7. Të ngarkohet Komisioni i Ligjeve që brenda këtij viti parlamentar të trajtojë me një grup ‘ad hoc’, me pjesëmarrjen e konstitucionalistëve dhe ekspertëve, cdo cështje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5 e kuvendit, qoftë ato që janë adresuar, qoftë ato që do të sjellë opozita.

8. Të bihet dakord që kufizimi i imunitetit parlamentar nuk mund të jetë vazhdë e praktikave të deritanishme. Të hapet një tryezë për rishikimin e Kushtetutës, ku të perfshihet Komisioni i Venecias, qoftë për kufizimin e imunitetit parlamentar, qoftë për ato cështje në interes kombëtar dhe publik që meritojnë të rishikohen.

9. Palët t’i drejtohen prokurores së përgjithshme me një letër të firmosur nga të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare dhe deputetët për dy cështje: Së pari zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit duke ofruar mbështetje të plotë politike deri në ditën e fundit të mandatit të saj (përfshi këtu edhe vrasjen e deputetit Xhindi dhe kryekomunarit Veseli). Së dyti, të thirren të gjithë personat me imunitet parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzierë me botën e krimit dhe të korrupsionit në kabllogramet e Wikileaks.

10. Të balancohet me konsensus bordi i Televizionit Publik dhe të zgjidhet një drejtues që garanton paanshmërinë e informimit të publikut dhe që paguhet njësoj nga të gjithë qytetarët. Të votohet me konsensus ligji i medias, për t’i dhënë fund të gjitha presioneve mbi median publike. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA