Konflikti libian, ofensivë e re drejt Sirtes

03/10/2011 15:00

Forcat e qeverisë së përkohshme libiane kanë lëshuar një ofensivë të re kundër bastionit të mbështetësve të Gadafit, Sirtes. Artileria dhe goditjet me tank janë duke u përdorur aktualisht, përpara se një sulm në shkallë të gjerë të nisë me synim marrjen e qendrës së qytetit.

Qindra civilë të tjerë janë duke u arratisur nga qyteti për të disatën ditë me radhë, ndërsa punonjësit humanitarë frikësohen se mund të ketë me mijëra të tjerë që e kanë të pamundur të largohen. Në jug, më shumë se 1 200 emigrantë afrikanë janë duke u evakuar drejt Çadit.

Forcat e Këshillit të Qeverisë së Përkohshme libiane kanë rrethuar SIrten me shumicën e artilerisë që disponojnë, ndërsa rezistenca vazhdon prej më shumë se tre javësh në vendlindjen e ish-diktatorit. Një drejtues ushatarak u shpreh se pritet që kjo të jetë ofensiva përfundimtare ndaj qytetit, edhe sepse forcat besnike të Gadafit, të izoluar, kanë mbetur praktikisht pa rezerva ushqimore.

Megjithatë, ai shtoi se ushtarët e qeverisë së përkohshme janë përgatitur për t’u përballur me një betejë që do të vazhdojë në brendësinë e qytetit dhe nga shtëpia në shtëpi. Në mënyrë që të pengojnë avancimin e tanqeve deri në qendër të Sirtes, mbrojtësit e qytetit kanë djegur makina dhe i kanë vendosur ato në mesin e rrugëve për t’i bllokuar.

Sirte është vendlindja e diktatorit, vendndodhja e të cilit është ende e panjohur. Qyteti tjetër i vetëm në të cilin vazhdon rezistenca është Sabha, në jugun e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA