Izraeli pranon thirrjen e negociatorëve ndërkombëtare për të rinisur bisedimet e paqes me palestinezet dhe i kërkoi presidentit Mahmud Abaz të bëjë të njëjtën gjë dhe jo të ndjekë kërkesën për njohjen e shtetit në OKB.
“Izraeli mirëpret vendimin nga Kuarteti i Lindjes së Mesme që po bën thirrje për rinisjen e menjëhershme të bisedimeve për paqen palestinezo-izraelite pa parakushte. Ky është një zhvillim pozitiv dhe Izraeli dëshiron dhe ka dëshiruar për rinisjen e shpejtë të tyre. Ne shpresojmë që palestinezët të marrin topin dhe ne me të vërtetë të nisim procesin e paqes në Lindjen e Mesme”, u shpreh Mark Regev, zëdhënësi i kryeministrit izraelit.
Kuarteti i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Rusia dhe Kombet e Bashkuara iu përgjigj kërkesës së Mahmud Abaz për anëtarësimin e Palestinës në OKB më 23 shtator, duke u kërkuar palëve të rinisin bisedimet brenda muajit.
Abaz tha se nuk do të ulet sërish në negociata me Izraelin nëse nuk heq dorë nga ndërtimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor që palestinezët e konsiderojnë si pjesë e shtetit të ardhshëm që do të përfshijë Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e tij.
Përpjekjet ndërkombëtare për të rinisur dialogun që dështoi një vit më parë përballen edhe me vendimin e Izraelit për të ndërtuar 1100 shtëpi në Gilo, një tokë e aneksuar në afërsi të Jeruzalemit. Deri tani nuk ka patur një përgjigje zyrtare të Palestinezëve për inisiativën e Kuartetit i cili i bën thirrje të dy palëve të mos ndërmarrin veprime të njëanshme.
Top Channel