Haqqani mohon vrasjen e negociatorit afgan

03/10/2011 16:45

Një lider i rrjetit afgan të militantëve, Haqqani, ka deklaruar për BBC se grupi nuk është përgjegjës për vrasjen e Burhanuddin Rabbani, negociatori për paqen me talebanët.

Autoritetet afgane kanë fajësuar grupin në fjalë, pjesë e rrjetit të talebanëve, për vrasjen e Rabbani-t.

Siraj Haqqani tha gjithashtu se rrjeti i tij nuk është i lidhur me agjencinë pakistaneze të spiunazhit, ISI.

Kreu i grupit militant dha përgjigje në formë audio për pyetjet e bëra nga dega e BBC në gjuhën pashto.

Siraj Haqqani është i biri i themeluesit të grupit, Jalauddin Haqqani dhe ka një rol kyc në operacionet e organizatës. Anëtarët e grupit janë fajësuar për një seri sulmesh të rënda kohët e fundit në Kabul.

Burhanuddin Rabbani u vra në shtëpinë e tij në Kabul më 20 shtator, gjatë një takimi me një person që thoshte se kishte një mesazh të rëndësishëm nga talebanët. Por personi në fjalë shpërtheu një bombë të fshehur në callmën e tij.

“Ne nuk e kemi vrarë Rabbani-n dhe këtë e kemi thënë disa herë përmes zëdhënësve të Emiratit Islamik”, ka deklaruar Siraj Haqqani.

Emirati Islamik është emri që talebanët i vunë Afganistanit kur morën kontrollin e tij në vitin 1996. Këta të fundit kanë deklaruar se nuk duan ta komentojnë vrasjen e negociatorit.

Dy ditë më parë, presidenti afgan Hamid Karzai njoftoi se qeveria e tij nuk do të vijojë negociatat për paqen me guerrilasit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA