Cameron flet për eurozonën

02/10/2011 21:00

Kryeministri britanik David Cameron paralajmëroi se ndarja e eurozonës do të ishte shumë e rëndë për Britaninë  e Madhe. Duke folur për BBC , ai tha se kriza e borxhit është një kërcënim edhe për ekonominë britanike dhe atë botërore.

Ai e shpjegoi këtë me faktin se 40 % e eksporteve britanike shkojnë drejt zonës euro, dhe për këtë arsye Britania e Madhe nuk mund të përjashtohet nga problemi.

Ai mendon se udhëheqësit e eurozonës duhet të forcojnë mekanizmat financiare për të garantuar një përfshirje më të madhe të FMN-së dhe mbi të gjitha duke i bërë ballë niveleve të larta të borxhit. Përpara cdo plani afatgjatë, sic është vendosja e një sistemi të vetëm të taksave.  

Për tre muaj me radhë, nga korriku në shtator, bursa kryesore e Britanisë së Madhe, FTSE 100 ka shënuar rënien më të thellë prej vitit 2002.

Shqetësimet e eurozonës lidhen me Greqinë, vendi me më shumë borxhe i saj. Athinës i duhen 8 miliardë euro nga Bashkimi Europian dhe FMN në mes të këtij muaji, për të paguar nëpunësit dhe mësuesit.

Kjo sasi parash u vonua në muajin shtator sepse përfaqësuesit e  BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Europian thanë se qeveria greke nuk po zbaton masat e shpëtimit.

Frika më e madhe është se Greqia do të falimentojë dhe pasojat do të bien mbi bankat europiane që mbajnë eurobondet e qeverisë greke. Disa analistë paralajmërojnë se Greqia mund ta braktisë eurozonën, duke futur sistemet politike dhe ekonomike në kaos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA