Në Hong Kong, shkollat, tregjet financiare dhe bizneset janë mbyllur si
pasojë e erërave dhe shirave të forta të sjella nga tajfuni “Nesat”.
Të gjitha shërbimet e transportit detar dhe ato të transportit urban janë pezulluar dhe trenat po veprojnë me kapacitete të kufizuara.
Vetëm pak persona qarkullojnë në rrugët e qytetit, pasi erërat që fryjnë me 100 kilometra në orë marrin me vete cadrat dhe vështirësojnë ecjen.
Radiot lokale raportojnë se dy persona, mes të cilëve një shofer taksie, mbetën të plagosur kur një skelë ndërtimi ra mbi taksi.
Gjithashtu, një varkë e madhe mallrash u përplas teksa hynte në port, pasi hodhi spirancën e saj. Rreth 50 persona janë evakuar nga një bllok apartamentesh, ndërkohë që disa fluturime janë anuluar.
Lynn Chan, një avokate që punon në zonën kryesore të bizneseve në Hong Kong, tha se eci e vendosur përballë shirave dhe erërave të forta për të arritur në zyrën e saj, të cilën e gjeti mbyllur.
“Unë jam personi i vetëm këtu. Mendoj se duhet të kisha dëgjuar lajmet para se të dilja nga shtëpia”, ka thënë Chan për një radio lokale.
Në mesditë, me orën lokale, tajfuni “Nesat”, i cili para pak ditësh përshkoi Filipinet, ndodhej 370 kilometra në jug-perëndim të Hong Kongut dhe po drejtohej për në ishullin Hainan të Kinës.
Bursa e Hong Kongut është mbyllur për gjatë gjithë ditës, ndërkohë që autoritetet kanë lajmëruar se niveli 8 për rrezikun nga tajfuni mund të rritet gjatë së enjtes.
Edhe zyrat qeveritare dhe gjykatat janë mbyllur gjithashtu, duke shtyrë shpalljen e një vendimi për cështjen e emigracionit.
Top Channel