Gjermani, Merkel përballë provës së radhës

29/09/2011 09:45

Kancelarja gjermane Angela Merkel përballet me një test madhor për autoritetin e saj, pasi anëtarët e parlamentit do të votojnë nëse të aprovojnë ose jo kompetenca të reja për fondin anti-krizë të BE-së.

Disa pjesëtarë të koalicionit të saj kundërshtojnë përdorimin e shumave të tjera për zgjidhjen e problemeve të vendeve të eurozonës, si Greqia.

Ndërkohë, në Athinë greva të reja të sektorit publik janë parashikuar të mbahen. Grevat vijnë pasi inspektorët ndërkombëtarë rifilluan bisedimet me qeverinë greke për të vendosur nëse ajo ka plotësuar kriteret e duhura për të marrë më shumë fonde.

Nëse mbi 19 anëtarë të koalicionit të zonjës Merkel rebelohen kundër saj, kancelares do t’i duhet të mbështetet tek opozita e qendrës së majtë për të kaluar draftin për më shumë pushtet për Fondin Financiar Evropian të Stabilitetit.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare në Berlin deklarojnë se, pavarësisht se pritjet janë që drafti të kalojë, zonja Merkel mund të dalë nga ky votim e dobësuar, e paaftë të mbajë koalicionin të bashkuar në një moment kritik për eurozonën.

Deri tani janë zhvilluar bisedime të minutës së fundit, si dhe ka pasur “mundje krahu” mes palëve të përfshira. “Ne po punojmë që t’i bindim njerëzit”, ka deklaruar deputeti i CDU-së, Hermann Groehe për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Votimi ka në qendër mundësinë e miratimit të planit që fondet e ndihmës së eurozonës të shkojnë në 440 miliardë euro.  

Ditën e martë, në një takim me kryeministrin grek Jorgo Papandreu, Merkel shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të ndihmuar Greqinë.

Të njëjtin mesazh dha edhe presidenti i eurozonës, Jean Claude Juncker, i cili tha se, “dalja e Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët nuk është një zgjidhje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA