Filipine, nis pastrimi pas tajfunit “Nesat”

28/09/2011 17:35

Një operacion masiv pastrimi po zhvillohet në Filipine, pas kalimit të tajfunit “Nesat”, që dëmtoi kryeqytetin Manila dhe ishullin kryesor të vendit, Luzon.

Numri i personave të vdekur u rrit në 18, ndërkohë që 35 persona të tjerë konsiderohen të humbur pasi shira të dendura dhe erëra të fuqishme përfshinë vendin.

Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në Manila dhe rrethina, bëjnë të ditur autoritetet lokale.

“Nesat” ndodhet aktualisht në detin e Kinës së Jugut me erëra që arrijnë deri në 120 kilometra në orë, që pritet të arrijnë ishullin Hainan mbrëmjen e së enjtes ose mëngjesin e së premtes.

Mësohet se furnizimi me energji elektrike është restauruar gradualisht në qendër të Manilës dhe shërbimet ne metro kanë rifilluar. Megjithatë, mbi një milion persona në Luzon vazhdojnë të jenë pa elektricitet.

Grupet e shpëtimit kanë lëvizur pemë të rrëzuara, makina të shkatërruara dhe të përmbysura nga tajfuni dhe shkollat janë hapur.

Shefi i Mbrojtjes Civile, Benito Ramos tha se ekipet po punojnë gjithashtu për pastrimin e 61 rrjeteve rrugore në Luzon, të dëmtuara nga rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet.

Disa zona janë ende nën ujë, përfshirë Parkun Oqeanik të Manilës dhe Taft Avenue. Ambasada amerikane, që u përmbyt gjatë ditës së martë, vazhdon të jetë e mbyllur.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Alfredo Lim tha se dallgë të mëdha vërshuan nga deti duke zhvendosur barrierat, duke bërë që uji të depërtojë nga Gjiri i Manilës në zonat e tjera. “Kjo është hera e parë që këtu ndodhin përmbytje të tilla”, tha Lim.

Përmbytjet në Luzon u përkeqësuan pasi qeveria liroi ujin nga disa rezervuare në provincën Bulacan, për shkak se uji kishte arritur nivele kritike.

Ndërkohë, një tjetër stuhi tropikale që po kalon nëpër Paqësor mund të godasë Filipinet brenda pak javësh, ka bërë të ditur zyra për kontrollin e motit.

“Duhet të përfundojmë punën për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga “Nesat”, para se të mbërrijë stuhija tjetër”, ka deklaruar shefi i Mbrojtjes Civile.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA