Autoritetet në Bullgari kanë arrestuar liderin e një klani romësh, nën akuzën e kërcënimit për kryerjen e një vrasjeje.
Arrestimi dhe burgimi i Kiril Rashkov, i njohur me pseudonimin Mbreti Kiro, vjen pas rritjes së ndjeshme të tensioneve etnike në Bullgari.
Protestat kundër romëve janë përhapur dhe janë kthyer në aktet më të rënda të dhunës ndër vite, duke cuar në arrestime masive.
Protestat filluan ditën e shtunë, pasi një furgon që transportonte anëtarë të familjes së Rashkov shtypi dhe vrau një djalë 19-vjecar në një fshat jugor të vendit.
Rreth 2 mijë persona të inatosur u mblodhën dhe sulmuan tre shtëpi, pronë e liderit të romëve në fshatin Katunista, duke bërtitur parulla anti-rome.
Në raste të tjera, grupe të vogla por të dhunshme të rinjsh nacionalistë zhvilluan protesta në 14 qytete gjatë fundjavës.
Natën e së martës, protestat vazhduan dhe mbi 160 persona, shumica e të cilëve të rinj, u arrestuan, kryesisht për armëmbajtje pa leje.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se lagjet e banuara me shumicë rome po përgatiten për t’u mbrojtur nga sulmet, pas disa kërcënimeve të përhapura në internet.
Liderët bullgarë, përfshirë kryeministrin dhe presidentin, vizituan fshatin që është në qendër të trazirave dhe theksuan se dhuna është një akt kriminal dhe jo etnik.
Top Channel