Tajfuni “Nesat” godet Filipinet

27/09/2011 08:55

Një tajfun i fuqishëm ka goditur Filipinet, duke shkaktuar përmbytje, ndërprerje të energjisë dhe aktiviteteve të punës në kryeqytetin Manila.

Tajfuni “Nesat” ka cuar gjithashtu në mbylljen e bursës së Filipineve dhe të ambasadës amerikane në kryeqytet. Të paktën dy persona janë vrarë dhe katër të tjerë raportohen të zhdukur.

Teksa stuhia afrohej, autoritetet urdhëruan evakuimin e mbi 100 mijë personave në provincën qendrore Albaj.

Tajfuni pritet të vazhdojë kalimin e tij në vend, para se të kalojë përmes detit të Kinës së Jugut për në jug të Kinës ditën e enjte.

“Nesat” ka shkaktuar gjithashtu rrëshqitje toke në provincat lindore Isabela dhe Aurora, në brigjet e oqeanit Paqësor.

Stuhija, me erëra që shkojnë deri në 170 kilometra në orë, aktualisht po kalon në ishullin e Luzonit, në të cilin jeton më shumë se gjysma e popullsisë së Filipineve.

Shumë rrugë janë mbuluar nga uji dhe fluturimet janë anuluar. Edhe mediat lokale po u bëjnë thirrje banorëve që të shmangin udhëtimet.

Në Manila, zyrat e qeverisë, shkollat dhe universitetet janë të mbyllura, pasi autoritetet dhanë alarmin për qytetarët.

Zyrtarët lajmëruan se zonat e ulëta të kryeqytetit janë jashtëzakonisht të prekshme nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.

Të paktën dy persona kanë vdekur, mes të cilëve një fëmijë që ra në lum, në provincën qendrore Katanduanes.

Ndërkohë, katër peshkatarë rezultojnë të zhdukur, ndërsa 50 vetë u shpëtuan nga marina detare pasi varkat e tyre u përmbysën si pasojë e detit të trazuar. Autoritetet druhen se numri i viktimave mund të rritet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA