Kolumbi, zbulohet nëndetësja e kokainës

27/09/2011 00:00

Agjentët e anti-drogës në Kolumbi kanë sekuestruar një nëndetëse për të trafikuar kokainë, e dyta brenda dy ditëve.

Policia lokale deklaron se nëndetësja, me vlerë 2 milionë dollarë, mund të qëndrojë nën ujë deri në 10 ditë.

Sipas burimeve, objekti është në gjendje të transportojë një ekuipazh prej pesë personash, në aksin Kolumbi-Amerikë Qendrore dhe kthim, pa u zbuluar nga radarët.

Nëndetësja u gjet në një xhungël në perëndim të provincës Coko, pasi policia kishte siguruar disa informacione. Oficerët udhëtuan me helikopter mbi xhunglën e dendur në afërsi të brigjeve të Paqësorit.

Nëndrejtori i agjencisë së anti-drogës, koloneli Carlos Enrique Rodriguez Gonzales tha për BBC se, mjeti lundrues kishte një teknologji më të avancuar nga sa mendohej.

“Nëndetësja mund të udhëtojë deri në 5 metra nën ujë dhe të qëndrojë nën sipërfaqe deri në 10 ditë, duke bërë të mundur transportimin e drogës në Amerikën Qendrore dhe kthimin në Kolumbi pa u zbuluar”, tha koloneli Gonzales.

Ai saktësoi se vetë nëndetësja nuk ishte shumë e shtrenjtë për t’u ndërtuar, ndërkohë që me mjetet e sofistikuara të komunikimit dhe pajisjet e lundrimit e conin vlerën e saj në 2 milionë dollarë.

Objekti, që ishte fshehur në një kasolle prej druri, është i gjatë 12.2 metra, i gjerë 3.4 metra dhe 5 metra i lartë. Ai përbëhet nga celik i fortë dhe i mbuluar me fibra xhami.

Koloneli Gonzales deklaroi gjithashtu se, nëndetësja i përket krahut më të madh paraushtarak të Kolumbisë, Forcat e Armatosura Revolucionare Kolumbiane, që vetëfinancohet me trafikun e drogës.

Zyrtari i lartë shtoi se ajo ishte ndërtuar me urdhër të Jorge Neftali Umenza Velasco, që konsiderohet si drejtuesi i një prej njësive kryesore të FARK.

Top Channel