Ish-lideri i Kubës, Fidel Castro deklaron se fjalimi i fundit në OKB i presidentit amerikan Barack Obama ishte një “dërdëllitje” dhe një përpjekje për të justifikuar të pajustifikueshmen.
Në artikullin e parë të publikuar në media që prej muajit korrik, Castro dënon gjithashtu sulmet ajrore të SHBA dhe NATO-s ndaj Libisë, duke i cilësuar si “krime mizore”.
Fidel, 85 vjec, i cili ia dorëzoi pushtetin vëllait të tij më të ri në vitin 2006, e ka anashkaluar shfaqjen në publik kohët e fundit, gjë që ka bërë që të shtohen spekulimet mbi shëndetin e tij.
“Lideri amerikan u përpoq të shpjegonte të pashpjegueshmen dhe të justifikonte të pajustifikueshmen”, shkruan Castro në artikullin e tij, duke cituar pjesë të fjalimit të Obama.
“Kush i kupton këto dërdëllitje të presidentit të Shteteve të Bashkuara para Asamblesë së Përgjithshme?”, shkruan lideri kubanez.
Sipas tij, gjatë fjalimit të tij, Obama “shtrembëroi” situatën në vende të ndryshme të botës, si në Siri, Iran, Afganistan dhe Libi.
“A ka ndonjë komb që ka shpëtuar nga kërcënimet gjakësore të këtij mbrojtësi të famshëm të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare?”, thotë Castro.
Artikujt janë pjesë e “Refleksioneve” që lideri kubanez shkruan dhe që publikohen në mediat shtetërore të vendit të Amerikës Latine.
Top Channel