Të ardhurat e shqiptarëve rriten çdo vit me nga 200 euro

26/09/2011 08:20

Para krizës ekonomike të ardhurat e shqiptarëve rriteshin çdo vit mesatarisht me 300 euro, sikurse dhe vetë ekonomia në tërësi zhvillohej me 7 për qind.

Por, parashikimet e fundit të Ministrisë së Financave deri në vitin 2014 flasin për një të ardhme jo fort pozitive. Për këtë vit, ministria parashikon që mesatarisht çdo shqiptar të ketë siguruar një të ardhur prej 2973 eurosh, me një rritje prej 6 për qind krahasuar me vitin 2008, ndërsa deri në 2014-n pritet të arrijë në 3600 euro, ose 17 për qind më shumë. Në vitet 2008-2009, ekonomia jonë përjetoi momentet më të vështira, efektet e së cilës ndihen edhe sot, ku qeveria detyrohet të rishikojë buxhetin e shtetit tri herë brenda një viti.
 
Me këtë nivel të ardhurash për frymë (bazuar te një popullsi prej 3.2 milionë banorësh), rezulton se shqiptarët janë ndër më të varfrit në rajon, duke ia kaluar vetëm Kosovës. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dëshmojnë se vendi ynë siguron të ardhura të pakta për çdo banor, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit që janë shumë më lart se ne.
 
Mesatarja e PPB-së për frymë është llogaritur nga ministria duke u bazuar te një rritje ekonomike mesatare për tre vitet e ardhme me 6 për qind, nga 7 që ishte vlerësimi para krizës. Pasojat e mungesës së likuiditetit në ekonomi, të nxitura nga pasiguria dhe kriza e besimit, kanë krijuar perceptime të reja për buxhetin e shqiptarëve. BSH shprehet e shqetësuar se nuk po shpenzohet sa duhet, ndërsa vijon të forcohet prirja për të kursyer akoma e më shumë. Në studimin e fundit mbi parashikimin makroekonomik të vendit, Ministria e Financave del në konkluzionin se, rritja e kursimeve te familjet dhe konsolidimi i mëtejshëm i besimit në sistemin bankar vendas kanë ndihmuar bankat që të rikuperojnë plotësisht tërheqjet e depozitave gjatë vitit 2010. Të dhënat për vitin 2010 tregojnë se niveli i depozitave në lekë është rritur me 11 për qind në terma vjetorë, që është afër rritjes mesatare 2010. Ndërkohë rritja 28 për qind vjetore e depozitave në valutë është mbështetur nga flukset e dërgesave dhe të aktivitetit të biznesit gjatë kohës së verës.

Sakaq, konsumi final parashikohet të rritet në terma reale me një normë vjetore mesatare prej 2.8 për qind gjatë periudhës afatmesme (2012-2014). Rritja e konsumit final në 2012-n është parashikuar që të vazhdojë të rritet me ritme më të larta, 3.6 për qind pas ngadalësimit në 2011-n, e cila reflekton kryesisht pasigurinë e vazhdueshme të familjeve përgjatë kësaj faze. Në dy vitet e ardhshme rritja e konsumit parashikohet të jetë në nivelet 3.1 për qind dhe 3.2 për qind për 2013-n dhe 2014-n, duke kontribuar në rritjen e PBB-së me 2.6 pikë përqindje (gjatë të dy viteve) nga një kontribut i moderuar prej 1.5 pikë përqindje në 2011-n, vlerëson qeveria.

Të dhënat tregojnë se TVSH-ja, taksa që tregon ecurinë e shpenzimeve, ka pësuar rënie të ndjeshme. Ministria e Financave thotë se, TVSH-ja mbi shitjet brenda vendit ka pësuar rënie të ndjeshme kundrejt një viti më parë, prej rreth 10 për qind. Në vitin 2010, të ardhurat nga taksimi i konsumit (indirekt) arritën në 152.8 miliardë lekë, ndarë në 114 miliardë lekë nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe 38.8 miliardë lekë nga akcizat.

Sektorët e ekonomisë, me rënie më të ndjeshme të pagesave të TVSH-së, krahasuar me 2009-n kanë qenë ndërtimi dhe telekomunikacioni, për arsye se: sektori i ndërtimit ka më pak vlerë të shtuar gjatë 2010-s, edhe si pasojë e reduktimit të investimeve publike; në sektorin e telekomunikacioneve ka pasur një nivel të lartë investimesh që kanë akumuluar TVSH të kreditueshme, si dhe ulje të tarifave të telefonisë celulare, sqaron ministria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA