Personi më i pasur i Kinës pritet t’i bashkohet Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, bëjnë të ditur mediat lokale.
Nëse Liang Wengen, 55 vjec, do të zgjidhet në kongresin e vitit 2012 të partisë, ai do të jetë biznesmeni i parë që i bashkohet kësaj strukture, që në fakt qeveris vendin.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare në Pekin deklarojnë se kjo do të jetë vetëm një lëvizje simbolike në kuadër të këndvështrimit të partisë ndaj biznesit.
Manjati i ndërtimeve është në majat e listës së personave më të pasur të “Forbes” dhe “Hurun”, me një pasuri që shkon mbi 9 miliardë dollarë.
Mediat lokale raportojnë se biznesmeni ka kaluar procedurat e testimit të partisë dhe është në prag të aprovimit nga kongresi, që do të mbahet në tetor të vitit të ardhshëm.
Ndërsa mediat ndërkombëtare vlerësojnë se në Kinë po fuqizohen bizneset që mbështeten nga partia, që filloi të pranonte biznesmenë në radhët e saj vetëm një dekadë më parë.
Kompania e Liang Wengen, që prodhon vinca dhe ekskavatorë, ka përfituar jashtëzakonisht nga bumi i ndërtimeve në vitet e fundit në Kinë.
Top Channel