Luftëtarët anti-Gaddafi kanë hyrë në vendlindjen e ish-liderit të Libisë, Sirte, nga lindja e qytetit, për herë të parë që nga nisja e ofensivës tre ditë më parë.
Ushtarët e KKT-së shkëmbyen zjarr me raketa me besnikët e Gaddafi-t, teksa depërtonin nga periferia për në qendër të qytetit.
Avancimi vjen dy ditë pasi trupat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit sulmuan nga perëndimi i qytetit, para se të tërhiqeshin për më shumë përforcime.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare në Sirte deklarojnë se civilët janë drejtuar për jashtë qytetit dhe se disa prej tyre nuk ishin në dijeni se qeveria e Tripolit kishte rënë.
“Shumë qytetarë ishin të tmerruar, pasi atyre u ishte thënë se rebelët do t’u prisnin fytin nëse do të braktisnin qytetin”, deklaron korrespondenti i BBC, Alastair Leithead.
Sipas reporterit, civilët e mbetur janë në rrezik pasi ndodhen në mes të luftimeve intensive mes dy palëve.
Besnikët e Gaddafi-t e kanë mbrojtur me ashpërsi qytetin nga avancimi i trupave të KKT-së në javët e fundit.
Ditën e shtunë ato u detyruan të tërhiqen edhe pse iu afruan shumë qendrës nga ana perëndimore e Sirtes.
Sirte është një qytet i hapur dhe pjesa më e madhe e luftimeve është kryer në distanca të gjata, me artiljeri dhe raketa tankesh, si dhe bombardime ajrore të NATO-s, që javën e kaluar zgjati misionin e tij.
Sirte dhe Bani Ualid janë dy qytetet e vetme që kanë mbetur ende nën kontrollin e liderit të rrëzuar. Në Bani Ualid luftimet vazhdojnë.
Një komandant i rebelëve ka thënë për agjencinë e lajmeve “AFP” se pret që beteja finale të zhvillohet në dy ditët e ardhshme.
Top Channel