Zamira Çavo – Nëse sot mundohemi t’u japim përgjigje dukurive, sjelljeve apo pyetjeve që na lindin, më së pari na duhet të kuptojmë të djeshmen, të kuptojmë si u përgatit terreni për atë çka shohim sot. Prandaj edhe nëse duam të themi se si do të jetë e ardhmja, nuk ka nevojë të filozofojmë, as të bëjmë fallxhorin apo Nostradamusin. Mjafton të shikojmë se çfarë po ndodh sot, që të kuptojmë se çfarë rrezikojmë nesër. Kjo nuk është ndonjë maksimë morale, as dhe ndonjë ide brilante e imja. Kjo është thjesht dhe vetëm tërheqje vëmendje për ata që përpiqen të tregojnë se ç’do të ndodhë në të ardhmen, kur nuk janë munduar asnjëherë të kuptojnë se çfarë trualli po përgatisim për këtë të ardhme.
Pyetja e parë që lind është po kaq e natyrshme, sa sentenca e mësipërme: A po përgatisim një shtet të denjë për fëmijët tanë? Në fund të fundit, kjo është një pyetje e qenësishme, sepse shteti është ai të cilit i kemi besuar jetët tona dhe të fëmijëve tanë. Mund të sjellim me dhjetëra përgjigje optimiste ose jo, por që në thelb do të vareshin nga këndvështrimet individuale. Unë bëj pjesë te pesimistët. Madje e them me zë të fortë se çfarë të ardhme po përgatisim. Dhe më poshtë po jap argumentet e mia.
– Një shoqëri dhe për më tepër një shtet, ngrihet mbi vlerat. Në këto 20 vjet, më shumë se çdo gjë, ne i kemi nënvlerësuar ato. Tingëllon moraliste, por besoj se vlerat janë pikërisht ato çka na orientojnë në jetën tonë private dhe publike. Do përmendja disa prej tyre: solidaritetin, lirinë, drejtësinë, sinqeritetin etj. Këto janë vlera që nuk negociohen, e që pa to, nuk mendoj se mund të qëndrojë në këmbë një shtet apo një shoqëri. Këto vlera, nuk mund të ndahen, ato janë të lidhura me njëra-tjetrën në formë të pandashme. Nuk mund të pretendosh njërën, pa tjetrën. Por pikërisht këto vlera ne i kemi “harruar”. Madje më keq akoma, i kemi zëvendësuar me antivlera. Dhe i kemi vënë në themel të shtetit. Demagogjia, padrejtësia dhe injoranca, gradualisht janë shndërruar në “vlerat” moderne të shtetit e të shoqërisë. Me pretendimin se politika nuk ka moral, arritëm të nëpërkëmbim ligjin, i dhamë formë mashtrimit dhe ushqyem korrupsionin. Sot na është bërë gati i pranueshëm konkluzioni: po deshe të bëhesh i pasur dhe të mos kesh frikë nga ligji, bëhu politikan! Një shtet që nuk dënon një politikan që vjedh, një tjetër që vret, një të tretë që shfrytëzon postin për qejfe personale, ai shtet është që sot një truall i denjë për një rrumpallë sociale në të ardhmen. Nesër, kur shteti ynë do na shfaqet më keq se sot, brezat e mëvonshëm do të ndjehen të rrezikuar dhe para dilemës: Ta rrëzojnë si shtet apo të pranojnë skllavërinë e antivlerave. Në të dyja rastet, kostoja do të jetë e lartë për ta.
– Shteti ngrihet mbi të ardhurat publike. Kur një shtet arrin të keqmenaxhojë resurset e veta, ai shkon drejt dobësimit, por kur një shtet arrin të groposë të ardhurat e veta, ai shkon drejt vetëvrasjes. Në 20 vjet duket se qeveritë tona, nuk kanë ditur të rigjenerojnë kapital. Pra e kanë keqmenaxhuar ekonominë e vendit. Por ka disa momente kur ky keqmenaxhim, për shkak të mungesës së vlerave të politikës, është kthyer në groposje të ardhurash publike. Dua të sjell në vëmendjen e lexuesit, groposjen e mijëra dollarëve në prishjen e mbikalimit të “Zogut të Zi”, në vitin 2005. Askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë djegie të parave tona. Askush! Nuk besoj se ka shtet në botë që ta tolerojë një veprim kaq diabolik për një mendje shtetari! Kush duhej të kërkonte llogari, veç shteti në këtë gjëmë që u bë? I kujtdo që do të ishte faji, fajtori i djegies së këtyre të ardhurave të futura në gropë, duhej dënuar maksimalisht! Sot, pas 6 vitesh historia përsëritet: Do ndryshojë projekti i qendrës së Tiranës! Mijëra dollarë të groposura sërish. Kush përgjigjet? Askush! Dhe kjo është një mënyrë se si e sotmja po gatuan të nesërmen. Dhe nuk po ndalem tashmë në projektet fantazmë të kompleksit parlamentar, apo në prishjen e Piramidës.
Të tallesh me pronën publike, ta shpërdorosh e keqmenaxhosh atë, besoj të çon në falimentimin e shtetit. Shembullin e kemi te dera. Shteti i sotëm grek erdhi deri këtu jo për një e dy vjet, por për atë që gatoi në të djeshmen e tij, pikërisht me të ardhurat publike. Dhe të mos harrojmë se qytetari grek as që krahasohet ekonomikisht me qytetarin e varfër shqiptar!
– Sot po i quajmë gati të zakonshme mashtrimet publike, po i quajmë pjesë të jetës gjithçka që shkon ndesh me ligjet, me ndershmërinë me sinqeritetin. Sot një politikan, pa asnjë vlerë, të tregon se sot nuk vlen ndershmëria, se bota kështu po funksionon, se drejtësinë e bëjnë të fortët, se… Nesër, ky model i politikës, do të na japë modelin e shtetit, tek i cili fëmijët tanë do kërkojnë drejtësinë, lirinë dhe vlera të tjera të ngjashme! Paradoksale, por e vërtetë!
Ja pse sot, sepse nesër do të jetë vonë, duhet ta zmbrapsim nga sinoret e shtetit këtë specie, që mohon vlerat e që nuk di t’i dallojë ato.
Në historinë tonë kemi bërë shumë gabime dhe e kemi paguar me të sotmen. Nuk mendoni se sot duhet të mendojmë për të nesërmen???
Top Channel