Vazhdojnë të zbardhen gjurmët e krimeve të regjimit të Muamar Gadafit në Libi. Një tjetër varr masiv është gjetur, sërish pranë burgut famëkeq Abu salim në Tripoli.
Lajmi njoftohet nga televizioni arab, Al Jazeera. Sipas Al Jazeera, në varrin e përbashkët dyshohet se janë varrosur mbi 1200 persona, që të gjithë të burgosur në Abu Salim.
Dhjetra kufoma u zbuluan në një varr masiv pak ditë pas marrjes së Tripolit nga ana e forcave opozitare, po në afërsi të burgut Abu Salim.
Abu Salim ishte burgu më famëkeq i regjimit të kolonelit. Përvec të burgosurve të dënuar për krime lufte, në këtë institucion izoloheshin edhe kundërshtarët politikë të Gadafit.
Në vitin 1996, mbi 2 mijë persona u ekzekutuan në këtë burg. Organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut, në atë kohë dhanë alarmin për masakrën e autoriteteve të ish-liderit libian.
Top Channel