Abas pritet si hero në Palestinë

25/09/2011 00:00

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, i cili ditën e premte i paraqiti Kombeve të Bashkuara kërkesën për njohjen ndërkombëtarisht të shtetit palestinez, mbërriti në Ramallah, ku bashkëkombasit i rezervuan një pritje prej heroi.

Me të mbërritur në atdhe, lideri palestinez i Fatah-ut, vizitoi fillimisht varrin e liderit historik të palestinezëve, Jaser Arafat e më pas mbajti një fjalim të shkurtër para mbështetësve të grumbulluar për të përshëndetuar ardhjen e tij.

Abas në fjalën e tij tha se kurrë nuk do të rinisin bisedimet për paqe me Izraelin pa ndaljen e ndërtimeve kolone prej shtetit hebre.

Kërkesa e depozituar në duart e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, për njohjen e shtetit palestinez, pritet të shqyrtohet ditën e nesërme nga Këshilli i Sigurimit, ndërsa për të marrë një përgjigje duhen pritur javë, e ndoshta muaj. Kërkesa do të kalojë edhe në duart e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Vatikani: Të zhgënjyer nga Obama

Vatikani e cilëson si të drejtë kërkesën e Palestinës për t’u njohur si shtet, e dorëzuar ditën e premte nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mamud Abas dhe kritikoi qendrimin e mbajtur nga presidenti amerikan, Barak Obama.

Për Selinë e Shenjtë, këtë herë presidenti Obama me qendrimin e mbajtur u tregua i njëanshëm.

“Jemi të zhgënjyer nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Barak Obama, që kishte dëshmuar guxim, qartësi por edhe praktikë, këtë herë u tregua shumë herë më pak se i paanëshëm”, deklaroi për mediat italiane, monsinjor, Giacinto Marcuzzo, ipeshkv i Nazaretit dhe famulltar i Patriarkatit latin të Jeruzalemit.
 

Top Channel