Negociatorët e Kuartetit për Lindjen e Mesme i kanë bërë thirrje Izraelit dhe Palestinës që të rifillojnë bisedimet për paqen brenda një muaji, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje brenda vitit 2012.
Deklarata e Kuartetit, i formuar nga BE, OKB, SHBA dhe Rusia, erdhi pasi lideri palestinez Mahmoud Abbas dorëzoi kërkesën e tij në OKB për njohjen e shtetit palestinez.
Bisedimet direkte mes Izraelit dhe Palestinës u bllokuan në shtator të vitit 2010, pas largimit të palestinezëve për shkak të ndërtimeve izraelite në Bregun Perëndimor.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në Kombet e Bashkuara se bërthama e konfliktit nuk janë ndërtimet, por refuzimi i palestinezëve për të njohur Izraelin si shtet hebre.
“Brenda një muaji do të zhvillohet një takim paraprak mes palëve, të cilat duhet të bien dakord për axhendën dhe metodën e vazhdimit të negociatave”, thuhet në një deklaratë të Kuartetit.
“Në këtë takim duhet të shprehet angazhimi nga të dyja palët që objektiv i negociatave të jetë arritja e një marrëveshjeje jo më vonë se fundi i vitit 2012”, thuhet më tej në deklaratë.
Kuarteti deklaroi se si izraelitët ashtu edhe palestinezët duhet të prodhojnë propozime gjithëpërfshirëse për territorin dhe sigurinë, në mënyrë që progresi të arrihet brenda gjashtë muajsh.
Ndërkohë, kërkesa e dorëzuar nga presidenti Abbas ka gjasa që të dështojë, pasi vetë presidenti amerikan Barack Obama paralajmëroi vendosjen e vetos në Këshillin e Sigurimit.
Ndërkohë, një konferencë ndërkombëtare për të zgjidhur mosmarrëveshjet do të mbahet në Moskë, “në momentin e duhur”, ka njoftuar Kuarteti.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton ka deklaruar se shpreson që të dyja palët të reagojnë pozitivisht ndaj këtij plani.
Top Channel