Presioni i vendeve perëndimore dhe sanksionet ndërkombëtare nuk trembin Iranin në zhvillimin e mëtejshëm të programit të tij bërthamor.
Përkundrazi, Republika Islamike synon ndërtimin e një centrali të dytë bërthamor, e për këtë do të shfrytëzojë ndihmën dhe eksperiencën e Moskës.
Kështu deklaroi nga Nju Jorku, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad. Ahmadinexhad tha se kanë nisur kontaktet me Rusinë për projektin e dytë.
“Kanë nisur takimet me ekspertët rusë mbi këtë temë, por bëhet fjalë për bisedime të përgjithshme, pa hyrë në detaje”, tha Ahmadinexhad.
Rusia dhe ekspertët e saj ndërtuan centralin e vetëm bërthamor që ka Irani, atë në jug të vendit, Bushehr, i cili pritet të hyjë në funksionalitet të plotë në fund të këtij viti.
Programi bërthamor iranian është kundërshtuar ashpër nga perëndimi, vecanërisht SHBA, që akuzon Teheranin se po përpiqet të ndërtojë një bombë bërthamore. Nga ana tjetër, Republika Islamike, ka hedhur poshtë akuzat amerikane dhe ka refuzuar heqjen dorë nga projekti bërthamor, i cili sipas tyre, shërben vetëm për qëllime paqësore, kryesisht në mjekësi.
Top Channel