Geithner: Presim sinjal vendimtar nga BE

24/09/2011 09:15

Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner u ka bërë thirrje liderëve evropianë në samitin e G20-ës në Uashington, që të dërgojnë “sinjale vendimtare” për të treguar se kanë një strategji për të ndalur krizën e borxhit.

Zoti Geithner tha se ka pasur një gërryerje të besimit dhe se një veprim i shpejtë do të kishte një “shpërblim të madh”. Megjithatë, ai shtoi se beson se Evropa do të bëjë gjënë e duhur.

“Gjëja më e rëndësishme që duhet të ndodhë tani është të shohim një sinjal vendimtar nga liderët evropianë, se kanë një strategji që mund të rigjenerojë besimin në vullnetin e tyre”, tha Geithner, duke shtuar se veprimet duhen ndërmarrë shpejt.

“Këto gjëra kanë një dinamikë të tillë që, sa më shumë të presësh, aq më të vështira bëhen për t’u zgjidhur. Veprimet e shpejta vlerësohen maksimalisht”, shtoi Geithner, i cili në samitin e Polonisë adresoi një sërë kritikash ndaj vendeve të BE.

Komentet e zotit Geithner vijnë në fund të një jave tjetër të karakterizuar nga paqëndrueshmëri në tregjet botërore.

Disa ditë më parë shefja e FMN-së, Christine Lagarde tha se është i nevojshëm një veprim kolektiv për të larguar pasiguritë ekonomike.

Ndërkohë, kancelari britanik George Osborne paralajmëroi gjithashtu se liderët evropianë kanë gjashtë javë për t’i dhënë fund krizës.

Ministrat e Financave të G20 aktualisht janë mbledhur në Uashington, ku po mbahet gjithashtu takimi vjetor i Bankës Botërore dhe FMN-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA