Kukan: Shqipëria nuk ka përparim

23/09/2011 20:50

Në mes të tetorit, Brukseli publikon strategjinë e zgjerimit, duke raportuar dhe për progresin e bërë nga Shqipëria gjatë një viti.

Në mes të tetorit, Brukseli publikon strategjinë e zgjerimit, duke raportuar dhe për progresin e bërë nga Shqipëria gjatë një viti.

Mospërmbushja e 12 prioriteteve kyce dhe mungesa e një dialogu të sinqertë politik në vend shtyjnë kreun e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, të gjykojë se ideja e përparimit drejt BE-së nuk është realiste.

“Shqetësimet e mia kanë të bëjnë me kriteret, me ato 12 pika, të cilat janë përcaktuar shumë qartë vitin e kaluar në raportin e progresit. Tani do të shohim sesi raporti i progresit i këtij viti do t’i vlerësojë ato, por unë mendoj me objektivitet se shumë kohë ka shkuar dëm, cfarë është vërtet keq për vendin. Përderisa nuk ka të paktën një dialog të vërtetë politik dhe përderisa të gjitha ato kushte që përmbajnë 12 prioritetet nuk materializohen, unë nuk mendoj se do të ishte realiste ideja e përparimit më pranë BE-së”, deklaron Kukan.

“E di se Shqipëria mund t’i bëjë shumë më mirë gjërat. Qytetarët shqiptarë e meritojnë që të kenë një situatë shumë më të mirë për vetë ata në të ardhmen. E di që ka patur disa tendenca apo sinjale pozitive nga Tirana, por ne do të dëshironim të shihnim konfirmime, pra që këto nuk mbeten vetëm simbole apo sinjale, por që ekziston një tendencë e vazhdueshme për të ecur përpara. Pa këtë do të jetë vërtet e vështirë që të jepet cfarëdolloj inkurajimi konkret pozitiv prej nesh”, nënvizon Kukan.

Tetë muaj kohë mori vetëm procesi i hartimit të një plani aksioni sesi do të zbatoheshin 12 prioritetet kyce. Në shkurt, qeveria shqiptare dorëzoi një plan aksioni, por këtë dokument Komisioni e ktheu pasi në të nuk përfshihej mendimi i opozitës, gjë për të cilën ndërhyri personalisht komisioneri për Zgjerim Stefan Fule në Tiranë.

5 muaj më pas, në korrik, përfaqësuesit e qeverisë treguan në Bruksel se plani i ri i aksionit kishte përfshirë dhe mendimin e opozitës, e posacërisht të kryetares së Komisionit parlamentar të Integrimit, Ermelinda Meksi, e cila e mohoi menjëherë një fakt të tillë.

E ndërsa mbetet më pak se një muaj deri në publikimin e raportit të ardhshëm të progresit nga Komisioni, qeveria dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për ngecjen në procesin e integrimit.

“Në këtë mënyrë nuk mund të shkohet asgjëkundi. Pikërisht këtë e theksojmë dhe në cdo diskutim që bëjmë me partitë politike të qeverisë dhe të opozitës. Ajo që ende nuk e shohim deri tani është që dialogu politik duhet t’i drejtohet drejtpërdrejtë nevojave konkrete të vendit, sepse pa një dialog politik të ciltër, të sinqertë e të vërtetë, asgjë nuk mund të arrihet”, shprehet Kukan.

“Shqipëria ka një tufë gjërash për të bërë, si reforma elektorale. E di që zgjedhjet mbahen pas dy vitesh, por koha fluturon dhe zgjedhjet e fundit u bënë pa përmbushur përsëri ato 32 rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ne duhet të shohim ndarjen e përgjegjësisë së përbashkët politike për të ardhmen e vendit nga qeveria dhe opozita. Pa këtë, unë nuk mendoj se gjërat mund të lëvizin përpara pozitivisht”, shton zyrtari i lartë evropian.

Pas aplikimit për anëtarësim në BE të Shqipërisë, vendet anëtare i kërkuan mendim Komisionit Europian, i cili analizoi në nëntor të vitit të kaluar se Shqipëria nuk e meritonte statusin kandidat dhe celjen e bisedimeve për anëtarësim.

Për këtë cështje duhej së paku që vendi të përmbushte 12 prioritete kyce për funksionimin e duhur të parlamentit, garantimin e një procesi të rregullt votimi për anëtarët e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, garantimin e standarteve në zgjedhje, të bënte reformën elektorale, të garantohej pavarësia e gjyqësorit, depolitizimi i administratës publike, garantimi i të drejtës mbi pronën, të dëshmonte fakte për luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, për politikat kundër diskriminimit të grave dhe minoritetit rom, si dhe të përmirësonte kushtet për të dënuarit.


Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA