Borxhi i qeverisë përballet këtë vit me tre skenarë që varen direkt nga ecuria e ekonomisë.

Zyrtarisht këtë vit qeveria parashikon që rritja ekonomike e vendit të jetë 5 për qind. Sipas këtij varianti, borxhi publik i vendit shkon në fund të vitit në 59.4 për qind të prodhimit kombëtar.

Por ky është skenari me optimist krahasuar me dy të tjerët. Dy ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se rritja ekonomike mund të jetë dy herë më e ulët se sa ajo që thotë qeveria, vetëm 2.5 për qind.

Nëse vërtetohet ky parashikim, atëherë borxhi publik i Shqipërisë për herë të parë që nga viti 2005 e tejkalon kufirin maksimal prej 60 për qind që ka vendosur Parlamenti me ligj.

Këto janë dy skenarët që lëvizin në ekstrem, që bazohen mbi parashikimet optimiste të qeverisë dhe ato konservatore të FMN.

Ka edhe një skenar të tretë, që në kushtet aktuale duket si më i mundshmi dhe që është ai i Bankës së Shqipërisë. Banka qëndrore vlerëson se rritja ekonomike e vendit në 2011 do të jetë në të njëtat ritme si vitin e kaluar, rreth kufirit 3.4 për qind.

Me këtë skenar borxhi i qeverisë shkon në 59.8 për qind, në limitet e kufirit ligjor. Më shumë gjasa borxhi i qeverisë do të jetë këtë vit më i lartë se sa shifra zyrtare e buxhetit.

Rritja e ulët ekonomike e ka bërë më të vështirë mbajtjen e detyrimeve të qeverisë nën kontroll, duke i vërtitur ato rrezikshëm në kufirin maksimal të 60 për qindëshit.

Kjo situatë po e detyron qeverinë që në muajt e fundit të ulë shpenzimet, duke goditur më fort investimet publike. Në muajin gusht, për të kompensuar rënien e të ardhurave, qeveria investoi në ekonomi dy herë më pak nga sa kishte parashikuar në buxhet.

Skenari i një rritjeje më të ulët ekonomike dhe ecurisë së dobët të të ardhurave mund të imponojë shkurtime edhe më të mëdha të investimeve muajt e ardhshëm, dhe ashtu sikur ka ndodhur vitet e tjera, sektorët që goditen më shumë janë gjithmonë arsimi dhe shëndetësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA